(Përditësuar, ora 10:18)- Në fazën e mbrojtjes, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, aktualisht ministër në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca u mbrojt në heshtje në rigjykimin ku po akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.
“Deklarohem i pafajshëm dhe nuk kam kurrfarë komenti shtesë”, deklaroi Konjufca, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Pasi gjyqtarja Edita Çanta e pyeti nëse po mbrohet në heshtje, i akuzuari e pohoi.
Seanca po vazhdon me fjalët përfundimtare nga palët në procedurë.

Prokurori pret të vërtetohet fajësia e Konjufcës, mbrojtja thotë se veprimet e tij s’përbëjnë vepër penale
(Përditësuar, ora 10:06)- Në rigjykimin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, prokurori Dardan Çela gjatë fjalës hyrëse deklaroi se do të vërtetohet fajësia e të akuzuarit Glauk Konjufca- tani ministër në detyrë i punëve të Jashtme dhe Diasporës. Kurse, mbrojtësja e Konjufcës, avokatja Arbnora Zeqiri tha se veprimet e të mbrojturit të saj ishin në kontekst politik dhe se ai veprim nuk përbën vepër penale.
Prokurori Çela tha se mbetet pranë aktakuzës me provat personale dhe materiale të cilat janë propozuar në aktakuzë dhe janë shtjelluar në Gjykatë në gjykimin e parë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Jemi të bindur se në fund të shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet fajësia e të pandehurit ashtu siç e ngarkon dispozitivi 1 i aktakuzës”, tha Çela.
Kurse mbrojtësja e Konjufcës, avokatja Arbnora Zeqiri në fjalën e saj hyrëse, tha se i akuzuari nuk kërkon privilegj për shkak të pozitës së tij, përkundrazi pozita e tij nuk duhet ta rëndojë apo lehtësojë standardin e një gjykimi të drejtë, të paanshëm dhe në kohë të arsyeshme.
Sipas saj, nga viti 2016 e deri më sot janë zhvilluar më shumë se 15 seanca gjyqësore dhe se çështja penale tashmë ndodhet në rigjykim.
“10 vite janë një periudhë jashtëzakonisht e gjatë për një person që vazhdon të jetë në barrën e një akuze”, tha Zeqiri.
Avokatja tha se e drejta për një gjykim të drejtë brenda një periudhe të një arsyeshme nuk është një formalitet por parim bazë në një shtet të së drejtës.
“Viti 2016 ishte një periudhë e tensionuar politike dhe institucionale në Republikën e Kosovës. Incidentet të quajtura me gaz lotsjellës në Kuvend ndodhën në kuadër të kundërshtimit të atëhershëm të opozitës ndaj ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Ky është konteksti politik në të cilin duhet të kuptohen veprimet e asaj kohe”, deklaroi Zeqiri.
Avokatja e Konjufcës tha se mbrojtja vlerëson që një veprim politik nuk mund të shkëputet nga kauza, motivi dhe qëllimi që e kanë nxitur.
“Por jo çdo marrëveshje politike është pakundërshtueshme dhe po ashtu jo çdo veprim i ndërmarrë për ta kundërshtuar atë, përbën qëllim kriminal dhe vepër penale”, tha avokatja.
Në fund, avokatja tha se pyetja themelore e këtij rigjykimi është se a është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se Konjufca ka kryer veprimin konkret të përshkruar në aktakuzë dhe se me atë veprim janë përmbushur elementet e veprës penale.
Pas fjalës hyrëse, u konstatuan të lexuara deklaratat e dëshmitarëve, të dhëna në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.
Seanca po vazhdon me administrimin e provave materiale.
Edhe në rigjykim, Konjufca deklarohet i pafajshëm për akuzën për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend
(Përditësuar, ora 9:48)- Në seancën e rigjykimit të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, aktualisht ministër në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.
“Jo, nuk ndihem fajtor”, deklaroi Konjufca,
Seanca po vazhdon me fjalën hyrëse nga palët në procedurë.
Glauk Konjufca arrin në Gjykatë, pritet të nisë rigjykimi për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend
Prishtinë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot (e mërkurë) pritet të nisë rigjykimi ndaj ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, aktualisht ministër në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca lidhur me akuzën për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.
Konjufca tashmë ka arritur në gjykatore dhe pas pak pritet të nisë seanca, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 shkurt 2024 ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Konjufcës, me arsyetimin se nuk është provuar se ka kryer veprën që i vihej në barrë “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Kurse, për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” për të cilën ka arritur parashkrimi, u refuzua akuza.
Por, Gjykata e Apelit prishi vendimin e Themelores dhe ktheu rastin në rigjykim.
Ndryshe, në seancën e 25 tetorit 2023, gjykatësja Edita Çanta tha se Konjufcës i është parashkruar vepra penale “Pengim i pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 shkurt 2017, ka ngritur aktakuzë kundër Glauk Konjufcës, të cilin e ngarkon me dy vepra penale.
Sipas aktakuzës, Konjufca akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë mbajtjes së mbledhjes në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku merrnin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq, i njëjti në cilësinë e deputetit, në kundërshtim me ligjin ka përdorur armë, ashtu që gjatë kësaj mbledhje ka hedhur gazin lotsjellës në këtë sallë.
Aktakuza thotë se si pasojë e kësaj, qëndrimi i pjesëmarrësve është pamundësuar nga tymi që ka shkaktuar gazi lotsjellës dhe të njëjtit janë detyruar të braktisin sallën, me çka i pandehuri Konjufca ka rënë ndesh me nenin 9.1 të Rregullores nr.04/12 për armëmbajtje në Republikën e Kosovës, ku ndalohet përdorimi i armëve.
Me këtë, Konjufca akuzohet se ka kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, me datë, në kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, i pandehuri Konjufca gjatë përdorimit të gazit lotsjellës ka penguar personat zyrtarë si kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët Adem Grabovci, Ismet Beqiri, Sabri Hamiti, Pal Lekaj, Valdete Bajrami dhe Sllobodan Petroviq në kryerjen e detyrave zyrtare, ç’rast të gjithë personat zyrtarë janë detyruar ta ndërpresin mbledhjen dhe të largohen nga salla.
Për këtë, Konjufca akuzohej se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” përcaktuar nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.





