Një debat për peshën e gjysmës së një buke ka përfunduar duke i kushtuar një furre buke në Bavari rreth 15 mijë euro.
Matthias Breitner, një furrtar nga Pfaffenhofen an der Ilm, kishte shitur për dekada gjysmë bukësh për klientët që nuk dëshironin të blinin një të plotë.
Problemi nisi kur një klient e peshoi në shtëpi një gjysmë buke dhe zbuloi se ishte 10 gramë më e lehtë se gjysma e peshës së deklaruar të bukës së plotë.
Breitner iu përgjigj klientit me humor: “Ndonjëherë fiton, ndonjëherë humbet. Herën tjetër me siguri do të jenë 10 gramë më shumë.”
Por klienti iu drejtua autoriteteve, transmeton Telegrafi.
Zyra lokale për peshat dhe matjet i njoftoi furrtarit se nuk mund të vazhdonte të shiste gjysmë bukësh pa i peshuar ato individualisht në momentin e shitjes.
Për shkak të rregullave gjermane dhe kërkesave evropiane për produktet e parapaketuara, Breitner thotë se u detyrua të instalonte peshore të reja në furrat e tij, me një kosto totale prej rreth 15 mijë eurosh.
Ai thotë se disa furra të tjera kanë hequr dorë nga shitja e gjysmë bukëve, nga frika e ankesave të ngjashme dhe kontrolleve të autoriteteve.
Ndërkohë, historia është bërë virale në Gjermani, duke treguar se edhe 10 gramë bukë mund të kthehen në një problem prej 15 mijë eurosh. /Telegrafi/






