Gjykata Speciale, e themeluar nga vetë Kosova dhe e mbështetur me vite nga SHBA-ja, gjendet para momentit të së vërtetës. Ndërsa akuza monstruoze për «tregti me organe» ra, drejtësia duhet të triumfojë në Hagë pa përçarje shoqërore dhe skenare apokaliptike në Kosovë: ndihma më e madhe për të akuzuarit është shteti i mirëqeverisur.
Më 16 shtator Gjykata Speciale me seli në Hagë, e themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, do të tregojë nëse katër ish-prijës të luftës së armatosur kundër regjimit serb janë fajtorë apo jo për krime lufte dhe krime të tjera. Si për të akuzuarit ashtu edhe për historinë e Kosovës do të ishte mirë që ata të shpalleshin të pafajshëm.
Kryetari i trupit gjykues është amerikan. Të tre kryeprokurorët e emëruar me mandat të plotë kanë qenë amerikanë. Edhe kryeprokurorja aktuale është amerikane. Juristi që e ka hapur udhën për themelimin e Gjykatës Speciale është amerikan (Clint Williamson). Qeveria që ka insistuar me ngulm për të themeluar Gjykatës Speciale ka qenë qeveria amerikane e prirë nga presidenti Barack Obama, nënpresidenti Joe Biden, ministrja e Jashtme Hillary Clinton dhe pasardhësi i saj në post John Kerry. Kundër kujt po protestohet?
Si filloi? Më 1999 një gazetar amerikan shkroi një memorandum dhe ia dorëzoi Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK): aty gazetari theksonte se kishte dëgjuar nga burime shqiptare mbi transportin e personave të ndaluar nga Kosova në Shqipëri dhe keqtrajtimin e tyre atje, përfshirë «heqjen e organeve».

Gazetari amerikan, i cili, për hir të së vërtetës, ka merita në dokumentimin e krimeve të Serbisë ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë, nuk shkroi për çështjen e «heqjes së organeve» me arsyetimin se nuk kishte mjaft dëshmi. Por akuza monstruoze nisi të qarkullojë jo vetëm nëpër zyra ndërkombëtare, UNMIK-u dhe Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi zhvilluan hetime në Kosovë e Shqipëri dhe nuk gjetën asgjë juridikisht relevante!
Në pranverë të vitit 2008, vetëm disa javë pasi u shpall pavarësia e Kosovës, ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, juristja kontraverse zvicerane Carla Del Ponte, doli me një libër mbi punën e saj në gjykatën e OKB-së. Një libër i shkruar me gjasë në afat rekord: Del Ponte përfundoi mandatin në Hagë në fund të vitit 2007 dhe në pranverë të 2008 libri qe gati – i shkruar me ndihmën e një gazetari amerikan me origjinë kroate.
Edhe ky gazetar (Chuck Sudetic) ishte kritikuar për punën e tij jo aq të pastër publicistike. Ish-zëdhënësja e Del Pontes në Tribunalin e Hagës, Florence Hartmann, theksoi më 2008 se dyshimet e paprovuara dhe të përfshira në libër janë një veprim i «papërgjegjshëm dhe i padenjë».
Nga libri i Del Pontes akuza për «tregti me organe» nisi të përmendej në zyrat e Këshillit të Europës. Në prill 2008 shtatëmbëdhjetë anëtarë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, të prirë nga anëtari rus Konstantin Kosaçev, paraqitën një mocion dhe kërkuan një rezolutë për një «hetim të thellë» të akuzave të ngritura nga Del Ponte. Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës nuk u zhvillua debat për këtë çështje – duket se mes anëtarëve të Asamblesë ekzistonte një nguti e madhe për ta çuar përpara këtë çështje.
Pastaj Komiteti i Asamblesë për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut e ngarkoi anëtarin zviceran Dick Marty si raportues për të hartuar një raport mbi këto pretendime. Marty ishte një prokuror zviceran me përvojë dhe kundërshtar i pavarësisë së Kosovës. Në Këshillin e Europës ai gëzonte reputacion të mirë pasi më parë kishte dëshmuar në dy raporte se shërbimi sekret amerikan CIA, në bashkëpunim me 14 shtete europiane, kishte organizuar burgje sekrete nëpër shumë vende në vazhdën e luftës kundër terrorizmit. Më herët Marty ishte dekoruar nga qeveria amerikane për meritat e tij në luftë kundër mafies ndërsa punonte si prokuror në Kantonin e Tiçinos në Zvicrën italiane.
Në raportin e tij të prezantuar më 12 dhjetor 2010, Dick Marty, përveç akuzave të tjera për krime të luftës, përsëriti edhe akuzën monstruoze të Del Pontes. Fakte të reja nuk solli. Këshilli i Europës miratoi raportin dhe me shpejtësi kërkoi nga Bashkimi Europian të qartësojë mandatin e Misionit të tij në Kosovë EULEX për të hetuar akuzat e përmendura në raportin e Dick Martyit. Nuk kërkoi hetim nga pala kosovare, vetëm bashkëpunim (ngjashëm bëri edhe me Serbinë dhe Shqipërinë). Pastaj çështja kaloi prapë në duar të amerikanëve.
Nga viti 2011 deri në vitin 2014 një prokuror amerikan, Clint Williamson, drejtoi të ashtuquajturën Task Forcë Hetimore e Specializuar (SITF). Detyrë e saj ishte të verifikonte akuzat e Dick Marty dhe të hapte udhën për themelimin e Gjykatës Speciale. Williamson e prezantoi raportin e tij në fund të korrikut 2014 duke thënë se ekzistonin prova për të ngritur aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sa i përket të ashtuquajturës «tregti me organe», Williamson nuk solli asnjë dëshmi të re. Ai vetëm recitoi atë që kishte pretenduar Dick Marty. Williamson shkroi në raportin e tij: «Kjo praktikë kishte ndodhur ‹në një shkallë shumë të kufizuar dhe se një numër i vogël individësh u vranë për [këtë] qëllim›».
Akuza për «tregti me organe» u bë 18 vjet më parë nga juristja populliste zvicerane Carla Del Ponte, pasi më parë po qarkullonin thashetheme e supozime. Kur në vitin 2020 u bë publike aktakuza, «tregtia me organe» s’u përmend fare, siç nuk u trajtua as gjatë procesit gjyqësor që zgjati mbi 5 vjet. Shumë qytetarë të Kosovës me të drejtë dyshojnë në integritetin dhe kredibilitetin e gjykatës.
Sa ishte gjallë Dick Marty refuzoi të përgjigjej në pyetjet e mia kritike lidhur me akuzat për «tregti me organe». Refuzoi edhe një takim për intervistë, ndërsa u jepte intervista gazetarëve të mediave zvicerane te të cilët nuk shihte rrezikun e pyetjeve kritike mbi raportin e tij, fundja ata nuk ishin njohës të mirë të Ballkanit. Del Ponte dhe Williamson do të duhej të sqaroheshin para opinionit se përse keqpërdorën indikacione pa relevancë juridike për t’i plasuar si akuza të rënda?
Gjatë gjithë debatit dhe hetimeve që çuan në themelimin e Gjykatës Speciale më 2015, klasa politike e Kosovës në pushtet ishte mjaft pasive. Menjëherë pasi doli raporti i Dick Marty u tha se «Kosova është e hapur për hetime ndërkombëtare», se «Kosova nuk ka asgjë për të fshehur» dhe – kulmi i papjekurisë – se me këtë çështje duhet të merret bashkësia ndërkombëtare sepse Kosova nuk paskësh kapacitet për t’i mbrojtur dëshmitarët. Kur një udhëheqës i lartë politik i Kosovës mban këso qëndrimesh kapitulluese, është e qartë që bashkësia ndërkombëtare nuk sheh arsye t’i besojë autoriteteve të Kosovës.
Në janar 2011 pasoi goditja tjetër kundër Kosovës. Raportuesi i Këshillit të Europës, Jean-Charles Gardetto, një deputet nga Monaco, theksoi se në Kosovë dëshmitarët janë në rrezik. Në raportin e tij Gardetto evidentoi tre faktorë kryesorë që kërcënonin dëshmitarët në Kosovë: frikësimi dhe presioni shoqëror, pamundësia e fshehjes së identitetit dhe mungesa e mbrojtjes institucionale.
Nga pala kosovare, politikani që ka insistuar më së shumti për themelimin e Gjykatës Speciale ka qenë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Më 3 gusht 2015 ai u kujdes që në Kuvendin e Kosovës të bëhen ndryshimet përkatëse kushtetuese. Pak ditë më parë – mesi i korrikut 2015 – në Prishtinë qëndroi kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë Edi Rama «për të diskutuar» çështjen e Gjykatës Speciale. Kritikët e Ramës thonë se ai erdhi për t’ia bërë të qartë udhëheqjes së Kosovës të kalonte sa më shpejt gjykatën në parlament. Në atë periudhë Rama ishte një mbështetës i fortë i Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën e quante «pasuri kombëtare».
Më 26 janar 2016, Hashim Thaçi, atëherë zëvendëskryeministër i parë i Kosovës, nënshkroi me Holandën marrëveshjen e përkohshme për përgatitjen dhe funksionimin e Gjykatës Speciale në Hagë. Më 15 shkurt, Thaçi nënshkroi edhe marrëveshjen përfundimtare që rregullonte praninë dhe funksionimin e saj në Holandë.
A duhet të fajësohet Thaçi për këto veprime, siç bëjnë disa «patriotë» pa dije politike? Jo. Thaçi luftoi aq sa mundi dhe në shumë mënyra për të shpëtuar veten nga Gjykata Speciale, por në fund e vuri interesin e Kosovës mbi interesin personal. Shumë bjerraditës të kafehaneve të Prishtinës thonë: «Nuk është dashur të lëshohet pe». Ok!
Por pastaj duhet shikuar drejt Kroacisë. Me vite të tëra Kroacia e mbrojti gjeneralin Ante Gotovina. Kur u rrit presioni, Kroacia u dorëzua dhe Gotovina iku nga vendi. Por nuk arriti larg. U arrestua në Spanjë. U transferua në Hagë. U gjykua. Dhe u shpall i pafajshëm. Ky mund të jetë epilogu edhe për krerët e luftës së Kosovës. Nëse jo më 16 shtator, beteja juridike vazhdon.
Megjithatë, Thaçi dhe të tjerët që miratuan Gjykatën Speciale disa gabime i kanë bërë. Kur doli raporti i Dick Martyt, nuk u insistua që, në rast të krijimit të një gjykate të veçantë, selia e saj të jetë në Kosovë dhe në përbërjen e saj të ketë edhe gjyqtarë e prokurorë kosovarë.
Gabimi tjetër: Kosova lëshoi pe dhe e themeloi Gjykatën Speciale pa kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që paraprakisht të pranohej në Këshillin e Europës. Po të bëhej kjo, të akuzuarit do të mund t’i ankoheshin Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut me seli në Strasburg.
Ka shumë huliganë të çarshisë politike kosovare që aktgjykimin në Hagë duan ta përdorin për interesa të politikës ditore në Kosovë. Duan të manipulojnë me fatin e të akuzuarve për beteja politike në Kosovë. Duan të bëjnë fushata elektorale. Duan të shkaktojnë përçarje në shoqëri duke i ndarë njerëzit në «patriotë» dhe «tradhtarë».
Ka të tillë madje që thonë se pas 16 shtatorit do të kallet Kosova nëse verdikti nuk është lirues. Kjo, kuptohet, nuk do të ishte as në interes të atyre që janë në Hagë, as në interes të Kosovës. Pas çdo shfrenimi popullist vendi paguan një çmim.
E ka paguar disa herë deri më tani. Shoqëritë e pjekura politikisht nxjerrin mësime nga e kaluara. Ndihma më e madhe që mund t’u bëhet të akuzuarve është shndërrimi i Kosovës në shtet të mirëqeverisur dhe jo keqpërdorimi i tyre për mitingje partiake dhe paralajmërimi i skenareve apokaliptike. /Telegrafi/




