Julián Álvarez është pritur me fishkëllima të fuqishme nga tifozët e Atlético Madridit në rikthimin e tij në “Metropolitano”, pas një vere të tensionuar për shkak të të ardhmes së tij.
Kur emri i sulmuesit argjentinas u bë i ditur nga sistemi i stadiumit para ndeshjes, tribunat shpërthyen në fishkëllima. Tifozët e Atléticos shprehën kështu pakënaqësinë e tyre ndaj Álvarez, i cili gjatë verës kishte kërkuar largimin nga klubi dhe kishte shprehur dëshirën për të vazhduar karrierën te Barcelona.
Sipas raportimeve, më 25 maj Alvarez kishte zhvilluar një takim me drejtuesit e Atléticos, duke u bërë të ditur se dëshironte të largohej për të realizuar ëndrrën e tij për të luajtur te Barcelona.
Situata u tensionua edhe më shumë gjatë Kupës së Botës, kur sulmuesi foli publikisht për të ardhmen e tij dhe pranoi se një largim nga Atlético Madridi do të ishte, sipas tij, zgjidhja më e mirë për të gjithë.
Megjithatë, drejtori ekzekutiv i Atlético Madridit, Miguel Ángel Gil, e bëri të qartë në disa raste se Álvarez nuk do të largohej nga klubi.
Tashmë, pas muajsh tensionesh, Álvarez është rikthyer në “Metropolitano”, por marrëdhënia me tifozët duket se është dëmtuar. Argjentinasi e nisi ndeshjen nga banka rezervë, ndërsa pritja që mori nga tribunat tregoi qartë pakënaqësinë e madhe të tifozëve. /Telegrafi/






