Andoni Iraola ka konfirmuar se Liverpooli do të bëjë të tjera transferime përpara mbylljes së afatit kalimtar të verës, duke pranuar se shpreson që në skuadër të afrohen më shumë se një lojtar.
Mbështetësit e Liverpoolit janë bërë gjithnjë e më të shqetësuar nga aktiviteti i kufizuar i klubit në afatin kalimtar, por Iraola ka këmbëngulur se përforcimet janë rrugës.
“Patjetër që do të transferojmë lojtarë. Shpresoj që të jenë më shumë se një. Si trajner, natyrisht që do të doja t’i kisha lojtarët që në ditën e parë të fazës përgatitore, në mënyrë që të gjithë të ishin gati për të nisur sezonin”.
“Por, gjithashtu, e kuptoj se si funksionojnë gjërat në afatin kalimtar. Ndonjëherë duhet të presësh deri në fund. Ajo që ka më shumë rëndësi është situata që do të kemi më 1 shtator”.
“Shpresoj, sepse është e vërtetë që aktualisht kemi një skuadër ende të cunguar, që nga tani deri në fund të afatit kalimtar të mund të kemi më shumë ndihmë dhe përforcime”, u shpreh Iraola.
Fjalët e trajnerit japin një sinjal të qartë se Liverpooli nuk e ka mbyllur ende fushatën e transferimeve. Iraola pranoi se skuadra ka nevojë për më shumë alternativa dhe se klubi pritet të lëvizë për lojtarë të rinj deri në mbylljen e afatit kalimtar më 1 shtator.
Në ditët e fundit, Liverpooli është lidhur me disa emra për repartin ofensiv, ndërsa drejtuesit po punojnë për të plotësuar boshllëqet në skuadër.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse klubi do të arrijë të sigurojë një apo disa përforcime të tjera përpara afatit përfundimtar. /Telegrafi/






