Ish-mesfushori i West Bromwich Albion, Quevin Castro, ka ndërruar jetë në moshën vetëm 25-vjeçare, pasi u rrëzua gjatë një ndeshjeje në Portugali.
Castro u rrëzua në pjesën e parë të miqësores parasezonale mes skuadrës së kategorisë së tretë, Real Sport Clube, dhe ekipit të elitës, Estrela da Amadora, të zhvilluar të shtunën në Estadio das Seixas në Lisbonë.
Asociacioni i Futbollit të Lisbonës (AFL) konfirmoi se Castro “ndërroi jetë këtë mëngjes gjatë ndeshjes miqësore parasezonale”.

Real Sport Clube e përshkroi mesfushorin si një “anëtar të dashur të familjes së tyre sportive”.
“Quevin Castro ishte shumë më tepër se vetëm një lojtar; ai ishte një pjesë integrale e familjes sonë, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme te të gjithë ata që e njohën”, thuhej në njoftimin e klubit.
Castro iu bashkua West Bromit në vitin 2021 dhe debutimin për klubin e bëri në ndeshjen ndaj Arsenalit në Carabao Cup.
Paraqitjen e dytë për West Bromin e regjistroi ndaj Swansea Cityt më vonë gjatë atij sezoni, përpara se të transferohej në huazim te Burton Albion.
West Brom reagoi me pikëllim ndaj lajmit, duke thënë se ishte “i shkatërruar” nga vdekja e ish-lojtarit të tij.
Klubi anglez do ta nderojë Castron me një minutë duartrokitjesh në minutën e 25-të të ndeshjes së Championshipit ndaj Burnleyt të dielën, ndërsa lojtarët do të mbajnë edhe shirita të zinj në krahë.
Ish-produkti i akademisë së Sportingut të Lisbonës kishte luajtur për disa skuadra në Angli, përfshirë Cambridge City, York City dhe Notts County, përpara se të rikthehej në Portugali verën e kaluar./Telegrafi/





