Gjimnazi i Tetovës, Mjekësia dhe Shkolla e Mesme Ekonomike „8 Shtatori“ vazhdojnë të jenë ndër shkollat më të preferuara për nxënësit që këtë vit do të vazhdojnë arsimin e mesëm.
Në Gjimnazin e Tetovës, interesimi i nxënësve ka qenë i lartë që në dy afatet e para të regjistrimit, ndërsa edhe në afatin e tretë ka pasur aplikime të reja. Drejtori i shkollës thotë se numri i aplikantëve është afër 30, por jo të gjithë do të mund të pranohen, pasi për regjistrim në gjimnaz kërkohen së paku 60 pikë.
“Numri i aplikantëve në shkollën tonë në vitin e parë është 295 në afatin e parë, dhe edhe në afatin e parë dhe të dytë, ndërsa në afatin tani është një paraqitje e nxënësve, afër 30 nxënës kanë aplikuar, mirëpo jo të gjithë ato do të pranohen për shkak se nuk i plotësojnë pikët, 60 pikë që kërkohet në shkollën tonë. Rrjedhimisht do duhet të marrin dokumentacionin edhe të aplikojnë në shkollë tjetër.”, u shpreh drejtori i Gjimnazit të Tetovës, Jeton Kamberi.

Interesimi i madh i nxënësve është vërejtur edhe në Shkollën e Mesme Ekonomike „8 Shtatori“. Në dy afatet e para në këtë shkollë janë pranuar mbi 180 nxënës, ndërsa numri pritet të rritet edhe pas përfundimit të afatit të tretë. Drejtoresha e shkollës e vlerëson si të kënaqshëm interesimin e nxënësve për drejtimet që ofron kjo shkollë.
“Deri në këto momente interesimi është i kënaqshëm. Numri i nxënësve që kanë aplikuar deri tani është mbi njëqind e shtatëdhjetë nxënës.”, u shpreh drejtoresha e Shkollës së Mesme Ekonomike – 8 Shtatori, Hava Hasani.
Në nivel vendi, Ministria e Arsimit dhe Shkencës për vitin shkollor 2026/2027 ka paraparë mbi 25 mijë vende të lira për regjistrimin e nxënësve në vitin e parë, në 109 shkolla të mesme publike.
Megjithatë, numri real i nxënësve që regjistrohen është dukshëm më i ulët dhe lidhet me numrin e nxënësve që përfundojnë arsimin fillor.
Ndërkohë, jo të gjithë nxënësit e Tetovës do ta nisin vitin e ri shkollor në objektet e tyre. Nxënësit e Shkollës së Mesme të Tekstilit pritet që edhe këtë vit një pjesë të mësimit ta ndjekin online, ndërsa pjesa tjetër në objektin e Shkollës Fillore „Besa“ në Reçicë të Vogël, pasi objekti i tyre është ende në ndërtim e sipër.
Në kushte të ngjashme pritet ta nisin vitin shkollor edhe nxënësit e Shkollës Fillore „Rilindja“ në fshatin Sellcë, ku punimet në objektin shkollor ende nuk kanë përfunduar. /rtvm2





