Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në vend dhe situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, PDK ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohet procesi i konstituimit të Kuvendit, duke theksuar se afatet dhe rregullat kushtetuese duhet të respektohen.

Në reagimin e saj, PDK ka renditur tri pika kryesore për të sqaruar, sipas saj, situatën aktuale.
” 1. Kushtetuta përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve. 2. Gjykata Kushtetuese e ka bërë edhe më të qartë: 30 ditët nuk janë vetëm afat për ta nisur procesin. Brenda këtij afati Kuvendi duhet të konstituohet. 3. Rregullorja e Kuvendit përcakton se, derisa të përfundojë seanca konstituive me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve, ndërprerjet nuk mund të zgjasin më shumë se 48 orë”, thuhet në postim.
Po ashtu siç thuhet në njoftim: “Afati 30-ditor ka kaluar pa u konstituuar Kuvendi. Tash po shpërfillet edhe rregulli 48-orësh. Kushtetuta nuk është rekomandim. Aktgjykimet nuk janë opsionale. Rregullat vlejnë për të gjithë – edhe për pushtetin. Ajo që po ndodh është suspendim dhe goditje e drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues të Republikës. PDK do ta mbrojë rendin kushtetues me çdo mjet”. /Telegrafi/





