Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e tre personave që humbën jetën në aksidentin tragjik të ndodhur në afërsi të pikëkalimit kufitar Bllacë, në Maqedoninë e Veriut.
Përmes një postimi, Kurti u solidarizua me familjarët dhe të afërmit e viktimave, Ejup Tërnavës, Cennet Tërnavës dhe Fatmire Shabanit.
“Ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të Ejup Tërnavës, Cennet Tërnavës dhe Fatmire Shabanit për humbjen tragjike të më të dashurve të tyre”, ka shkruar Kurti.
Tre viktimat humbën jetën pasi vetura me të cilën po udhëtonin u aksidentua në afërsi të pikëkalimit kufitar Bllacë.
Pas përfundimit të procedurave nga autoritetet kompetente të Maqedonisë së Veriut, trupat e pajetë pritet të transportohen në Kosovë. /Telegrafi/






