Një 43-vjeçar nga Shkupi është arrestuar mëngjesin e së premtes në zonën kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, nën dyshimet për kontrabandë mallrash, ndërsa policia ka sekuestruar dy automjete transportuese.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, rreth orës 08:00, policët kanë vërejtur persona duke transferuar mallra nga një automjet në tjetrin në vijën kufitare mes fshatrave Tanushë dhe Mjak.
“Policët kanë vërejtur persona duke kryer ngarkim dhe shkëmbim të mallrave në një automjet transportues ‘Volkswagen’ me targa të Kosovës dhe një automjet ‘Peugeot’ me targa të Shkupit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Policia ndërhyri menjëherë për ndalimin e automjeteve dhe identifikimin e personave, me ç’rast u arrestua A.A. (43) nga Shkupi, drejtues i automjetit “Peugeot”. Ndërkohë, drejtuesi i automjetit “Volkswagen” arriti të largohej drejt territorit të Kosovës.
“Është vendosur koordinim me pjesëtarët e Policisë së Kosovës – Task Force, të cilët ndërmorën masa për ndalimin e automjetit, por gjatë tentativës për arratisje ai doli nga rruga”, shtojnë nga MPB.
Ministria bën të ditur se të dy automjetet janë sekuestruar për procedurë të mëtejshme. Për rastin është njoftuar prokurori publik, ndërsa pas zbardhjes së plotë të ngjarjes do të parashtrohet kallëzimi përkatës.






