Angelina Jolie duket se është gjithnjë e më pranë realizimit të planit të saj për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara, por një pengesë e rëndësishme po i vonon planet.
Sipas raportimeve të medieve të huaja, aktorja 51-vjeçare dëshiron të nisë një kapitull të ri të jetës sapo binjakët e saj, Vivienne dhe Knox, të mbushin 18 vjeç.
Burime pranë aktores bëjnë të ditur se Jolie synon të zhvendoset në Kamboxhia, vend me të cilin ka një lidhje të veçantë prej vitesh, ndërsa New York-u do të mbetet baza e saj për angazhimet profesionale në SHBA, shkruan DailyMail.
Megjithatë, planet e saj po vonohen për shkak se rezidenca luksoze në Los Feliz, Los Angeles, ende nuk është shitur.
Prona, e nxjerrë në shitje në fillim të majit për rreth 30 milionë dollarë, vazhdon të jetë në treg. Sipas burimeve, ngadalësimi i tregut të pasurive të paluajtshme në Los Angeles ka bërë që shitja të mos realizohet ende, edhe pse shtëpia konsiderohet një nga rezidencat më të veçanta të zonës.
Jolie kishte deklaruar më herët se dëshiron të largohet nga Los Angeles dhe të lërë pas kujtimet e lidhura me ish-bashkëshortin e saj, Brad Pitt.
Sipas burimeve, ajo nuk planifikon të largohet pa të gjashtë fëmijët e saj dhe ka pritur me padurim momentin kur binjakët të arrijnë moshën madhore, çka i jep më shumë liri për të vendosur për jetën e familjes së saj.
Edhe pse shitja e shtëpisë mbetet një pengesë, burimet theksojnë se Angelina Jolie ka mundësitë financiare për t’u zhvendosur kur të dëshirojë.
Megjithatë, ajo preferon ta mbyllë plotësisht këtë kapitull të jetës së saj përpara se të nisë një fillim të ri. /Telegrafi/






