Pamjet ajrore tregojnë se pjesë të lumit Loire në Francën perëndimore janë tharë aq shumë, sa kanë mbetur vetëm disa rripa rëre. Vala e hershme e të nxehtit që ka përfshirë vendin pritet të intensifikohet, ndërsa temperaturat të premten mund të arrijnë deri në 41 gradë Celsius.
Shërbimi meteorologjik francez, Météo-France, njoftoi se nëntë departamente në luginën e Loire dhe në Francën perëndimore do të vendosen në nivelin më të lartë – alarmi i kuq për vapën ekstreme.
Ndërkohë, 76 departamente të tjera do të jenë nën alarm portokalli, ndërsa vetëm Korzika, Riviera Franceze dhe skaji verior i vendit nuk janë përfshirë nga paralajmërimet.
– YouTube www.youtube.com
Paralajmërimet vijnë pasi zjarret pyjore në jug të Francës detyruan rreth 10 mijë banorë të largohen nga shtëpitë e tyre. Bimësia e tharë ka favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve në disa rajone të vendit.
Shkencëtarët e Bashkimit Evropian konfirmuan se Evropa Perëndimore ka regjistruar qershorin më të nxehtë në histori. Ndërkohë, Këshilli i Lartë për Klimën në Francë paralajmëroi se përpjekjet e vendit për uljen e emetimeve dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike mbeten të pamjaftueshme.
Për shkak të situatës, kryeministri Sébastien Lecornu do të drejtojë një mbledhje ndërministrore të krizës për të koordinuar masat e qeverisë. Autoritetet lokale në disa departamente kanë nisur tashmë vendosjen e kufizimeve në përdorimin e ujit për të përballuar thatësirën dhe temperaturat ekstreme. /Telegrafi/






