Mikel Merino vendos sërish – Spanja kalon Belgjikën dhe prek gjysmëfinalen

Sport

Spanja ka siguruar një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, pasi ka mposhtur Belgjikën me rezultat 2-1 në një çerekfinale dramatike, të vendosur vetëm në minutat e fundit të takimit. Skuadra e Luis de la Fuente kontrolloi më shumë lojën dhe krijoi disa mundësi të mira, por Belgjika qëndroi në garë deri në […]

Madhësia e shkronjave

Spanja ka siguruar një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, pasi ka mposhtur Belgjikën me rezultat 2-1 në një çerekfinale dramatike, të vendosur vetëm në minutat e fundit të takimit.

Skuadra e Luis de la Fuente kontrolloi më shumë lojën dhe krijoi disa mundësi të mira, por Belgjika qëndroi në garë deri në fund, duke e bërë përballjen tejet të tensionuar.

Spanja e nisi më mirë ndeshjen dhe kaloi në epërsi në minutën e 30-të. Pas një goditjeje të Dani Olmos, Thibaut Courtois arriti të reagojë, por topi i kthyer përfundoi te Fabian Ruiz, i cili me qetësi e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.

Belgjika reagoi shpejt dhe vetëm 11 minuta më vonë riktheu baraspeshën. Timothy Castagne harkoi bukur në zonë, ndërsa Charles De Ketelaere u tregua i saktë me kokë duke mposhtur portierin spanjoll dhe duke vendosur rezultatin 1-1.

Në pjesën e dytë, Spanja shtoi presionin dhe iu afrua golit të avantazhit. Në minutën e 63-të, Mikel Oyarzabal pati një mundësi të artë, por një pritje e jashtëzakonshme e Courtois e mbajti Belgjikën në lojë.

Belgjika u detyrua të bëjë një ndryshim të papritur në minutën e 71-të, pasi Courtois pësoi një dëmtim dhe u zëvendësua nga Senne Lammens.

Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt vazhdimeve, Spanja gjeti golin vendimtar në minutën e 88-të. Mikel Merino u shfaq në momentin e duhur dhe realizoi për 2-1, duke dërguar ‘Furinë e Kuqe’ në gjysmëfinale.

Me këtë fitore, Spanja vazhdon rrugëtimin drejt trofeut të Botërorit dhe në fazën tjetër do të përballet me Francën, e cila tashmë e pret në gjysmëfinale./Telegrafi/