Momente paniku në fluturimin drejt Mynihut, një pjesë e motorit godet dritaren e aeroplanit – lëndon pasagjerin

Bota

Një fluturim i Ryanair nga Selaniku drejt Mynihut u detyrua të kthehej në Aeroportin e Selanikut pasi aeroplani pësoi një defekt në motor gjatë fluturimit. Gjatë uljes, një pjesë e motorit të dëmtuar u shkëput dhe goditi një dritare të kabinës, duke lënduar lehtë një pasagjer. Pilotët konstatuan mosfunksionimin teksa aeroplani po fluturonte mbi Maqedoninë […]

Madhësia e shkronjave

Një fluturim i Ryanair nga Selaniku drejt Mynihut u detyrua të kthehej në Aeroportin e Selanikut pasi aeroplani pësoi një defekt në motor gjatë fluturimit.

Gjatë uljes, një pjesë e motorit të dëmtuar u shkëput dhe goditi një dritare të kabinës, duke lënduar lehtë një pasagjer.

Pilotët konstatuan mosfunksionimin teksa aeroplani po fluturonte mbi Maqedoninë e Veriut dhe vendosën të ktheheshin në Selanik, pasi nuk arritën ta zgjidhnin problemin.

Procedurat e emergjencës u aktivizuan në Aeroportin “Makedonia” të Selanikut pasi ekuipazhi lëshoi sinjalin e rrezikut.

Zjarrfikësit, ekipet e ambulancës, policia dhe shërbimet e tjera emergjente u vendosën në gatishmëri si masë paraprake.

Aeroplani u ul në mënyrë të sigurt dhe u zhvendos në një zonë të caktuar të aeroportit.

Katër pasagjerë u dërguan në spital për kontrolle mjekësore. Shumica u trajtuan dhe u liruan, ndërsa njëri mbeti nën vëzhgim për vlerësime të mëtejshme.

Ryanair dërgoi një aeroplan zëvendësues për të transportuar shumicën e pasagjerëve drejt Mynihut.

Shkaku i defektit në motor është ende nën hetim nga autoritetet e aviacionit. /Telegrafi/