Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidromorava ka njoftuar konsumatorët që furnizohen me ujë nga Fabrika e Përpunimit të Ujit (FPU) në Letnicë të Vitisë se uji nga rrjeti i ujësjellësit nuk duhet të përdoret për pije deri në një njoftim të ri.
Sipas kompanisë, rekomandimi vjen si pasojë e reshjeve të fundit dhe pamundësisë teknike për trajtimin e ujit në FPU Letnicë sipas standardeve të kërkuara për konsum.
KRU Hidromorava ka bërë të ditur se uji mund të përdoret vetëm për nevoja sanitare, ndërsa ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve deri në normalizimin e situatës.
Ndërkohë, ekipet laboratorike janë duke kryer analiza të vazhdueshme kimiko-fizike të cilësisë së ujit. Kompania ka njoftuar se sapo rezultatet të konfirmojnë se uji i plotëson standardet e lejuara për konsum, qytetarët do të informohen menjëherë për rikthimin e përdorimit të tij për pije. /Telegrafi/






