Deschamps flet për akuzat që tronditën Kupën e Botës: Nuk kemi punë me gjyqtarët

Sport

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, ka refuzuar të përfshihet në polemikat që shpërthyen pas fitores së Argjentinës ndaj Egjiptit në raundin e 16-të të Kupës së Botës 2026, duke kërkuar që fokusi të mbetet te futbolli dhe jo te gjyqtarët. Konferenca për shtyp para çerekfinales ndaj Marokut u dominua nga pyetjet rreth arbitrimit, pasi sulmuesi […]

Madhësia e shkronjave

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, ka refuzuar të përfshihet në polemikat që shpërthyen pas fitores së Argjentinës ndaj Egjiptit në raundin e 16-të të Kupës së Botës 2026, duke kërkuar që fokusi të mbetet te futbolli dhe jo te gjyqtarët.

Konferenca për shtyp para çerekfinales ndaj Marokut u dominua nga pyetjet rreth arbitrimit, pasi sulmuesi i Egjiptit, Ziko, kishte deklaruar se turneu ishte “i manipuluar” pas eliminimit të skuadrës së tij nga Argjentina.

Megjithatë, Deschamps nuk pranoi të komentojë akuzat, duke shprehur vetëm dëshirën që gjyqtarët të kenë një paraqitje sa më profesionale.

“Shpresoj që gjyqtari të jetë po aq i mirë sa ishin zoti Letexier dhe asistentët e tij në një ndeshje tjetër”, deklaroi ai.

Trajneri francez hodhi poshtë edhe pretendimet se Franca ka ende llogari të hapura me arbitrimin pas finales së Kupës së Botës 2022.

“Gabimet e vetme janë ato të lojtarëve. Në çdo ndeshje ka situata që mund të shkojnë në njërën anë ose në tjetrën. Ankesat gjithmonë varen nga ana në të cilën je”, u shpreh Deschamps.

Duke folur për kundërshtarin e radhës, ai paralajmëroi se Maroku do të jetë një test shumë më i vështirë sesa Paraguai në fazën e kaluar.

“Në çerekfinale niveli i kundërshtarit rritet edhe më shumë. Do të duhet të jemi efektivë si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje”, tha trajneri i “Gjelave”.

Deschamps minimizoi edhe diskutimet për faktin se ndeshja do të drejtohet nga një ekip arbitrash argjentinas.

“Kundërshtari im është Maroku, jo gjyqtari. Ai është aty për të zbatuar rregullat e lojës sa më drejt që të jetë e mundur”, theksoi ai.

Trajneri francez konfirmoi gjithashtu se FIFA ka refuzuar ankesën e Francës për kartonin e verdhë të marrë nga Michael Olise në fitoren ndaj Paraguait, çka do të thotë se anësori i Bayern Munichut do ta mbajë në fuqi ndëshkimin.

“Situata e kartonit të verdhë nuk ka ndryshuar. Këtë mëngjes morëm njoftimin nga FIFA”, bëri të ditur Deschamps.

Në fund, ai doli në mbrojtje të kapitenit Kylian Mbappé, duke theksuar se sulmuesi nuk ndikohet nga kritikat.

“Kylian është i fortë dhe asgjë që thuhet nuk e prek atë. Ai vazhdon të bëjë punën e tij”, përfundoi trajneri i Francës.

Franca do të përballet me Marokun në çerekfinalen e Kupës së Botës 2026, me synimin për të siguruar një vend në mesin e katër skuadrave më të mira të turneut.