Barcelona po planifikon një verë të “nxehtë” në afatin kalimtar, teksa drejtuesit katalanas synojnë të investojnë fuqishëm për të forcuar skuadrën e trajnerit Hansi Flick.
Megjithatë, për të realizuar afrimet e dëshiruara, klubi duhet fillimisht të krijojë hapësira financiare përmes largimeve të disa lojtarëve.
Sipas raportimeve nga mediat spanjolle, disa emra janë tashmë në listën e largimeve të mundshme nga “Camp Nou”.
Portieri Marc-Andre ter Stegen dhe Inaki Pena nuk konsiderohen pjesë e planeve të Flick për sezonin e ardhshëm, ndaj Barcelona do të punojë për të gjetur zgjidhje për të dy gjatë afatit kalimtar veror.
Një tjetër futbollist që mund të largohet është edhe Marc Casado, i cili aktualisht ndodhet shumë poshtë në hierarkinë e mesfushës dhe e ka të vështirë të sigurojë minuta të rregullta.
Ndërkohë, në listën e lojtarëve me gjasa reale për t’u larguar është edhe talenti suedez Roony Bardghji. Sulmuesi anësor, i cili iu bashkua Barcelonës verën e kaluar nga Copenhagen, po shqyrton seriozisht një largim për shkak të mungesës së hapësirave në formacion.
Raportohet se vetë Hansi Flick i ka bërë të qartë Bardghjit se nuk e sheh me shumë minuta në sezonin e ardhshëm, sidomos pas afrimit të mundshëm të Anthony Gordon.
Për këtë arsye, edhe lojtari ka arritur në përfundimin se largimi do të ishte zgjidhja më e mirë për zhvillimin e tij.
Megjithatë, prioriteti i Bardghjit mbetet një huazim dhe jo një transferim i përhershëm.
Suedezi dëshiron të vazhdojë të mbetet i lidhur me klubin katalanas, edhe pse nuk do të kundërshtonte një shitje nëse Barcelona e konsideron të nevojshme për arsye financiare.
Mbetet të shihet se si do të zhvillohet situata e Bardghjit gjatë muajve të ardhshëm, por aktualisht gjithçka tregon se ai do të largohet nga Barcelona gjatë kësaj vere. /Telegrafi/






