Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, Vjosa Osmani duket se e ka një të ardhme politike në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Të paktën kështu thotë anëtari i kryesisë së kësaj partie, njëherësh kandidati për deputet, Armend Zemaj.
Ai në intervistën zgjedhore në KosovaPress thekson se gara në një listë të përbashkët jep sinjale se ka një afrim për një bashkëpunim afatgjatë dhe përfshirje të Osmanit në struktura. Megjithatë, ai është skeptik nëse Osmani mund të jetë kryetare e LDK-së, pasi siç thotë ka figura të tjera që meritojnë “kryetarllakun”.

“Kjo është hipotetike, por po duket që është një afrim që mund të jetë një bashkëpunim afatgjatë i ecjes së në LDK… Është herët, as nuk mund të them a ka ambicie apo jo. Ka edhe persona të tjerë që kanë punuar gjatë në LDK dhe kanë prapavijë të mirë etike, morale dhe profesionale dhe për t’i vendosur strukturat dhe elektorati i LDK-së”, thotë ai.
Megjithatë, Zemaj insiston se Osmani si kandidate e tyre për presidente do ta marrë këtë post pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Mirëpo sipas tij, nëse s’ka dakordim mes subjekteve politike për Osmanin, atëherë duhet të tejkalohet në një zgjidhje tjetër.
“Duhet kuptuar, kjo është garë. Ne po hyjmë për t’i fituar zgjedhjet dhe kemi person i cili mendojmë që mund të jetë një president i mirë për Kosovën dhe kemi një kandidat që e kemi pasur edhe kandidat që mund ta udhëheqë ekzekutivin, që është një prej shtyllave kryesore në një sistem parlamentar edhe me udhëhequr Kosovën… Absolutisht që po, është brenda LDK-së. Është kandidate, kur të fitohen zgjedhjet, i nënshtrohet diskutimit. Ka pranueshmëri, nëse gjenden 80 vota, mund të futet. Nëse nuk ka pranueshmëri, domethënë kalon në një nivel tjetër… Ne mund të insistojmë nëse i kemi 80 vota, por nuk jemi as naivë, as nuk jemi laikë në këtë drejtim, sepse këto i din gjithkush: ne punojmë për t’i fituar zgjedhjet. Kur t’i fitosh zgjedhjet, ti e krijon momentumin e mirë që njerëzit të afrohen nga ti, jo duke i ofenduar, jo duke i tentuar me i nënshtruar, jo duke i linçuar, por duke i bërë partner për me udhëhequr Kosovën me program, me ide të mira dhe me projekte madhore që ka nevojë Republika jonë”, deklaron ai.
Zemaj la të hapur edhe mundësinë e bashkëpunimeve paszgjedhore, duke theksuar se LDK nuk e përjashton asnjë subjekt politik, përfshirë Lëvizja Vetëvendosje, nëse kjo do të shërbente për stabilitet institucional.
“Janë tema paszgjedhore. Ju e dini, kjo logjikë që e ka dëmtuar edhe komunikimin politik, vendosja e vijave të kuqe ka qenë edhe si përfitim i momentumit elektoral ose individual, por ne jemi të përcaktuar për Kosovën, për të ardhmen e saj dhe të fëmijëve tanë që këtu po i rrisim dhe këtu dëshirojmë t’ua bëjmë të ardhmen e përbashkët me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, shton ai.
Përkundër kësaj, Zemaj alarmon për rrezikun që vendi të vazhdojë krizën politike në rast se nuk zgjidhet presidenti pas zgjedhjeve.
“Nëse nuk ka vullnet të subjekteve politike, mund të hyjmë në një krizë të re kushtetuese, por unë këtë nuk do ta kisha dashur. Qytetarët e Kosovës mendoj që dëshirojnë stabilitet institucional. Edhe besoj që do të votojnë për stabilitet institucional. E kanë barrë në shpinë edhe koston e jetesës edhe atë çka po ndodh me largimin e të rinjve dhe të rejave nga Kosova. Mos harroni, Kosova është duke u zbrazur në vazhdimësi, jo nga mirëqeverisja, por nga keqqeverisja”, përfundon ai.





