I akuzuari për kanosjen e prezantuesit Alaudin Hamiti pranon fajësinë

Magazina

I akuzuari Liman Berisha, për kanosjen e moderatorit Alaudin Hamiti, ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar. Këtë deklarim ai e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arian Frrokaj. I akuzuari Berisha deklaroi se ndihet fajtor dhe shprehu pendesë për rastin e ndodhur, duke theksuar se nga ai incizim nuk ka pasur asgjë […]

Madhësia e shkronjave

I akuzuari Liman Berisha, për kanosjen e moderatorit Alaudin Hamiti, ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar.

Këtë deklarim ai e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arian Frrokaj.

I akuzuari Berisha deklaroi se ndihet fajtor dhe shprehu pendesë për rastin e ndodhur, duke theksuar se nga ai incizim nuk ka pasur asgjë kundër të dëmtuarit Alaudin Hamiti.

Ai kërkoi falje ndaj tij dhe familjes së tij, si dhe i propozoi gjykatës që gjatë matjes së dënimit t’i shqiptohet një dënim sa më i butë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Gojart Zymberi, deklaroi se e mbështet deklarimin e klientit të tij, duke shtuar se ai nuk ka pasur ndonjë qëllim për rrezik real apo serioz ndaj të dëmtuarit, dhe se nga deklarimi i tij vërehet se bëhet fjalë për një reagim emocional.

Po ashtu, ai i propozoi gjykatës që të aprovojë pranimin e fajësisë dhe të shqiptojë një dënim sa më të butë, si dhe të ndërpritet masa e arrestit shtëpiak për të mbrojturin e tij.

Prokurori i shtetit, Arian Frrokaj, nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë, duke theksuar se ai mbështetet në dispozitat ligjore në fuqi dhe se gjatë caktimit të dënimit duhet të merren parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Ndërkaq, përfaqësuesja e palës së dëmtuar, avokatja Blinera Osmani, tha se e mbështet në tërësi qëndrimin e prokurorit, duke theksuar se si pasojë e kërcënimit serioz, i dëmtuari ka përjetuar ndjenjë të vazhdueshme pasigurie për jetën dhe integritetin e tij personal.

Sipas saj, kjo gjendje ka ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen emocionale të tij, duke i shkaktuar ankth, stres të vazhdueshëm dhe çrregullim në jetën e përditshme.

Ajo propozoi që gjykata t’i shqiptojë të akuzuarit dënimin në përputhje me kërkesën e prokurorisë.

Pala e dëmtuar, Alaudin Hamiti, tha se e mbështet përfaqësuesen e tij dhe shtoi se dëshiron të dijë arsyet e kërcënimit, pasi që nuk e njeh të akuzuarin dhe nuk ka kërcënuar askënd.

Pranimi i fajësisë u aprovua nga gjyqtari i rastit, Eroll Gashi, i cili tha se lidhur me masën e arrestit shtëpiak do të vendoset me rastin e shpalljes së aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të datës 19 mars 2026, më 26 nëntor 2024, rreth orës 14:30, në Facebook, në adresën e Klan Kosovës, i pandehuri Liman Berisha, në formë shkrimi dhe mesazhesh zanore, ka dërguar porosi kërcënuese ndaj moderatorit Alaudin Hamiti, duke shkruar: “Edi (ish-banor i programit) është nipi jem, atë fjalë që ia ke thanë, Alaudin, besom ka me pagu me jetë, dhe po e rrite atë ton, ka me hanger plumbin shpejt”.

Sipas aktakuzës, me këtë veprim i dëmtuari ka ndjerë frikë dhe pasiguri.

Prandaj, Berisha ngarkohet me veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi