Mbase fajin e kanë ndërprerjet e mëdha të internetit, të urdhëruara nga shteti për vështirësimin e jetës së miliona rusëve, mbi të gjitha, të atyre në Moskë.
Mbase faji është te sulmet me dronë ukrainas që ua kanë prishur rusëve planet e fluturimeve dhe kanë kufizuar dukshëm eksportet ruse të naftës në Detin Baltik.
Mbase fajtor është asgjësimi i bagëtive të infektuara që ka nxitur protesta të ashpra nga bujqit në Siberi.
Mbase, mbase, fajtori kryesor është lufta kundër Ukrainës, e cila, pavarësisht premtimeve të Kremlinit për fitore të shpejtë, po vazhdon në vitin e saj të pestë, sepse forcat e Kievit po e sfidojnë fuqishëm Rusinë, e cila ka pësuar humbjen e rreth 1.2 milion ushtarëve: pra të vrarë dhe të plagosur gjatë kësaj lufte.

Pavarësisht arsyeve, e vërteta është se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk është më aq popullor sa ka qenë dikur.
Në javët e fundit, një seri sondazhesh të opinionit publik – përfshirë dy të kryera nga sondazhistë të lidhur me shtetin – kanë vërejtur një rënie të mbështetjes për Putinin.
FOM, klienti kryesor i të cilit është Administrata Presidenciale, një organ i fuqishëm politikbërës brenda Kremlinit, ka regjistruar nivelin më të ulët të besimit publik për Putinin që nga shtatori i vitit 2022.
Rënia e vlerësimeve nuk shfaq ndonjë krizë politike për Kremlinin; Putini mbetet lideri i padiskutueshëm i vendit.
Zyrtarët e Kremlinit – mbi të gjitha Administrata Presidenciale – kanë kaluar vite duke mbuluar proceset zgjedhore në përpjekje për të krijuar perceptimin se rusët kanë i zgjedhin liderët e tyre në mënyrë të mirëfilltë, në atë që quhet “demokraci e menaxhuar”.
Por, zyrtarët e Kremlinit janë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve në opinionin publik, thonë ekspertët, dhe ndryshimi i tanishëm po analizohet nga afër brenda administratës nga zyrtarët e ngarkuar me menaxhimin e sistemit politik.
“Është e rëndësishme dhe mbështetet gjithashtu nga ngjarje dhe incidente të ndryshme”, tha Gulnaz Sharafutdinova, drejtoreshë e Institutit të Rusisë në King’s College London, duke treguar rastin e fundit që përfshinte një avokat agresiv pro-Kremlinit, i cili përfundoi në një spital psikiatrik pasi kritikoi ashpër Putinin.
Ndryshimi i humorit mund të shpjegohet nga disa faktorë, tha ajo: ndërprerjet nga dronët ukrainas; bllokimi i aplikacioneve si Telegram, WhatsApp dhe internetit; pritjet dhe premtimet e pambajtura nga negociatat për paqe në Ukrainë të mbështetura nga SHBA-ja; lodhja e përgjithshme nga një luftë e zgjatur që ka filluar të ndikojë më dukshëm në ekonomi.
“Kjo nuk do të thotë se revolucioni është në horizont, por tensionet në rritje nuk janë të mira për Kremlinin”, tha ajo.
“Ende nuk kemi mjaft të dhëna për të lidhur procese të caktuara shoqërore në grupe të caktuara shoqërore me këtë trend në rënie”, tha Konstantin Gaaze, sociolog me bazë në Tel Aviv dhe ish-këshilltar i Qeverisë ruse. “Kush saktësisht është i lodhur, i zhgënjyer apo i zemëruar?”
“Kemi parë ndërhyrje të mëdha në jetën e përditshme – ndërprerje të internetit dhe kufizime – por gjithashtu po shohim një tendencë më të zgjatur”, tha ai, duke shtuar: “Lufta po depërton gjithnjë e më thellë në zemrën e Rusisë evropiane. Dronë, sulme mbi rafineritë e naftës, e kështu me radhë. Këto gjëra akumulohen me kalimin e kohës”.
Për vite me radhë, rregullatorët e teknologjisë – dhe agjencitë e sigurisë – kanë shtrënguar kontrollin mbi internetin brenda Rusisë, duke instaluar pajisje vëzhgimi, duke miratuar ligje kufizuese, duke detyruar kompanitë e teknologjisë të shiten te pronarë të lidhur me Kremlinin dhe duke ngadalësuar faqet dhe aplikacionet që nuk përputhen me rregulloret.
Megjithatë, gjatë vitit të kaluar, zyrtarët kanë filluar të fikin shërbimin e internetit mobil në një numër gjithnjë e më të madh rajonesh.
Kremlini i ka arsyetuar ndërprerjet si një mënyrë për të parandaluar dronët ukrainas që të përdorin rrjetet ruse për navigim. Por, ngadalësimet, së bashku me kufizimin e aplikacioneve të njohura si Telegram dhe WhatsApp, kanë vështirësuar jetën e miliona njerëzve, veçanërisht në Moskë.
Një sondazh i publikuar muajin e kaluar nga Qendra Levada, një nga sondazhistët e fundit të pavarur në Rusi, tregoi një rritje të dukshme të rusëve që përballen me probleme interneti, dhe një numër në rritje që thonë se janë të pakënaqur me veprimet e autoriteteve për t’i kufizuar Telegramin dhe WhatsApp-in.
Ndërkohë, në fillim të shkurtit, autoritetet veterinare në disa rajone të Siberisë urdhëruan karantina dhe vrasjen e dhjetëra mijëra lopëve dhe bagëtive të tjera, duke përmendur tërbimin dhe një sëmundje tjetër bakteriale shumë infektive.
Fermerët dhe blegtorët janë ankuar, duke thënë se masa është e tepruar dhe po shkatërron jetesën në qytete dhe fshatra më të varfra. Disa u ankuan se kompensimi i paguar për bagëtitë e shkatërruara ishte i pamjaftueshëm.
Disa madje e çuan protestën e tyre deri në Sheshin e Kuq të Moskës, një akt politik që është i rrallë këto ditë.
Ekonomia e Rusisë gjithashtu po ngadalësohet dukshëm, pas viteve të rritjes së shpejtë të nxitur nga shpenzimet qeveritare për luftën. Inflacioni ka rritur çmimet, duke nxitur një rritje të fortë të normave të interesit. Ndërsa, rritja e pagave ka ngecur.
Dhe, pastaj vjen lufta në Ukrainë, e cila i mbushi katër vjet më 24 shkurt.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e bëri përfundimin e luftës prioritet pas marrjes së detyrës në janar 2025. Të dërguarit e tij specialë janë takuar vazhdimisht me Putinin dhe negociatorët e tij kanë organizuar disa runde bisedimesh dypalëshe dhe trepalëshe.
Sulmet njëmujore nga SHBA-ja dhe Izraeli ndaj Iranit janë pjesërisht fajtore. Kërkesat e mëdha të Rusisë për tokë dhe garancitë e sigurisë, të cilat Ukraina thotë se janë të papranueshme dhe potencialisht të rrezikshme, janë gjithashtu përgjegjëse.
Për më tepër, ushtria e Ukrainës – megjithëse më e vogël dhe kryesisht e pa pajisur sa duhet me artileri, municion dhe armatim të rëndë – nuk i ka lejuar trupat ruse të përparojnë shpejt për t’i arritur synimet e luftës së Kremlinit. Ajo u ka shkaktuar humbje astronomike forcave ruse.
Sipas të dhënave të FOM-it, hera e fundit kur vlerësimet për Putinin ranë ndjeshëm ishte në shtator të vitit 2022, shtatë muaj pas fillimit të luftës.
Atëherë Kremlini e kuptoi se lufta nuk do të përfundonte shpejt. Disa kishin parashikuar se Rusia do ta nënshtronte Ukrainën brenda pak ditësh ose javësh. Putini urdhëroi një mobilizim në shkallë të gjerë, duke tronditur shoqërinë ruse dhe duke nxitur largim të qindra mijëra njerëzve nga vendi.
Brenda Rusisë, kundërshtimi është shtypur pothuajse tërësisht. Yevgeny Prigozhin nga Shën Petersburgu, i cili e ndërtoi një forcë të fuqishme mercenare private dhe më pas organizoi një rebelim të dështuar në vitin 2023, ishte një nga kritikët më të zëshëm të mënyrës së zhvillimit të luftës. Ai vdiq dy muaj më vonë në një aksident ajror që besohet se ishte vrasje e qëllimshme.
Muajin e kaluar, Ilya Remeslo, mbështetës i zhurmshëm i Kremlinit, preku nervin publik kur publikoi një kritikë të ashpër ndaj luftës dhe gjendjes së përgjithshme të vendit. Ai gjithashtu sulmoi vetë Putinin, duke e quajtur kriminel lufte dhe duke u ankuar se ai po shkatërronte Rusinë.
Më pak se dy ditë pas publikimit të artikullit, Remeslo u shtrua në një spital psikiatrik, megjithëse nuk është e qartë nëse ishte vullnetarisht apo jo. Vendndodhja e tij është e paqartë.
“Çfarë ka ndodhur tani? Ka filluar një stuhi e përsosur”, tha Yelena Koneva, sociologe dhe specialiste e marketingut të opinionit publik, në një koment të publikuar nga Ekho, ish-radioja e njohur e Moskës.
“Pikërisht tani, ky grumbull i madh bore i quajtur ‘mbështetje për Putinin’ po fillon të shkrihet. Nuk do të shembet menjëherë; shkrihet dhe shkrihet dhe shkrihet”, shkroi ajo. “Është një ndryshim i ngadaltë, vërtet domethënës. Kjo është shenja e parë dhe nuk mund të ndalet me shtypje të mëtejshme, ka shumë arsye”. /rel/





