Jetojmë më gjatë, por plakemi më shpejt? Paradoksi modern i jetëgjatësisë dhe plakjes biologjike

Dallimi mes moshës kronologjike dhe asaj biologjike po bëhet gjithnjë më i theksuar. Ky fenomen lidhet ngushtë me stilin e jetesës dhe ka pasoja të drejtpërdrejta në shëndetin publik Dr. Xheladin Rizani,kardiokirurgxheladinrizani@gmail.com📞383 44 998 373 Në dekadat e fundit, njerëzimi ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm: rritjen e jetëgjatësisë mesatare. Sipas të dhënave globale, jetëgjatësia […]

shendetesi
Rritte shkrimin

Dallimi mes moshës kronologjike dhe asaj biologjike po bëhet gjithnjë më i theksuar. Ky fenomen lidhet ngushtë me stilin e jetesës dhe ka pasoja të drejtpërdrejta në shëndetin publik

Dr. Xheladin Rizani,kardiokirurgxheladinrizani@gmail.com📞383 44 998 373

Në dekadat e fundit, njerëzimi ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm: rritjen e jetëgjatësisë mesatare. Sipas të dhënave globale, jetëgjatësia është rritur ndjeshëm falë përparimeve në mjekësi, higjienë dhe standardin e jetesës. Megjithatë, paralelisht me këtë sukses, po shfaqet një fenomen shqetësues: individët po përjetojnë shenja të plakjes më herët në jetë.

Ky fenomen përfaqëson një paradoks biologjik dhe shoqëror: jetojmë më gjatë në vite kronologjike, por shpesh plakemi më shpejt në nivel biologjik. Pra, ekziston një dallim mes moshës kronologjike dhe asaj biologjike.

Shkenca moderne i definon këto si: A. Mosha kronologjike – vitet e jetuara, të shprehura në numra B. Mosha biologjike – gjendja reale funksionale e organizmit

Studimet tregojnë se këto dy koncepte nuk përputhen gjithmonë. Në një studim të publikuar në Nature Aging, individë të së njëjtës moshë kronologjike shfaqnin dallime të mëdha në ritmin e plakjes biologjike, të lidhura me funksionin e zemrës, trurit dhe ndryshimet hormonale.

Kështu, një 45-vjeçar mund të ketë një organizëm biologjik “60-vjeçar” dhe anasjelltas.

Paradoksi: rritje e jetëgjatësisë, por jo e jetës së shëndetshme

Rritja e jetëgjatësisë nuk është domosdoshmërisht e barabartë me rritjen e viteve të jetës së shëndetshme.

Shumë individë jetojnë më gjatë, por kalojnë një periudhë më të madhe të jetës me sëmundje kronike ose në trajtim të vazhdueshëm mjekësor, si diabeti, sëmundjet kardiovaskulare, demenca dhe sëmundjet reumatike autoimune.

1. Stili modern i jetesës Faktorët e jetesës ndikojnë drejtpërdrejt në plakjen qelizore. Individët me shëndet të mirë kardiovaskular mund të kenë një moshë biologjike deri në 6 vite më të re.

2. Variabiliteti individual i plakjes Jo të gjithë plaken njësoj. Disa individë shfaqin përshpejtim të plakjes që në moshë të re, duke reflektuar dëmtime multisistemike.

3. Faktorët psikologjikë dhe socialë Stresi, izolimi dhe presioni social lidhen me rritje të plakjes biologjike. Në epokën digjitale, ndjenja e “vjetërsimit social” mund të shfaqet edhe në moshë të re.

4. Ndryshimet epigjenetike dhe molekulare Teknologjitë moderne, si orët epigjenetike, tregojnë se plakja nuk është lineare, por ndikohet nga faktorë të shumtë biologjikë dhe mjedisorë.

A po ndryshon ritmi i plakjes apo vetëm ekspozimi ndaj tij?

Një debat i rëndësishëm shkencor është nëse njerëzit realisht po plaken më shpejt, apo thjesht po jetojnë më gjatë duke ekspozuar më shumë efektet e plakjes.

Disa teori sugjerojnë se ritmi bazë i plakjes mund të jetë relativisht konstant, ndërsa faktorët modernë përshpejtojnë shfaqjen e dëmtimeve dhe sëmundjeve.

Kjo ka pasoja të rëndësishme në shëndetin publik: rritje të barrës së sëmundjeve kronike, kosto më të larta për sistemet shëndetësore dhe nevojë për politika që bazohen në moshën biologjike, jo vetëm në atë kronologjike.

Si mund të ngadalësohet plakja e hershme?

Në interes të përgjithshëm është se çfarë mund të bëhet për të ngadalësuar plakjen e hershme.

Sipas World Health Organization, promovimi i stilit të jetesës së shëndetshme dhe reduktimi i pabarazive sociale ndikojnë drejtpërdrejt në procesin e plakjes.

Të gjitha këto së bashku kontribuojnë në ngadalësimin e plakjes biologjike, jo vetëm në parandalimin e sëmundjeve.

Jetëgjatësia është rritur, por nëse nuk menaxhojmë faktorët që përshpejtojnë plakjen biologjike, rrezikojmë të krijojmë një shoqëri që jeton më gjatë, por me më pak shëndet dhe funksionalitet.

“Plakja nuk është vetëm çështje kohe – është pasqyrë e mënyrës si jetojmë kohën.” “Nuk është art të shtosh vite në jetë, por jetë në vite.” /Telegrafi/