Kurti në Londër: Mbretëria e Bashkuar, partner strategjik i Kosovës, thellim bashkëpunimi në siguri dhe ekonomi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka nisur vizitën zyrtare në Londër, ku është pritur nga Sekretarja për Punë të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper. Në takim, Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, duke theksuar marrëdhëniet e forta dhe të qëndrueshme mes dy vendeve, […]

Nacionale

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka nisur vizitën zyrtare në Londër, ku është pritur nga Sekretarja për Punë të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.

Në takim, Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, duke theksuar marrëdhëniet e forta dhe të qëndrueshme mes dy vendeve, të bazuara në vlera të përbashkëta demokratike dhe angazhimin për siguri e prosperitet evropian.

Ai e cilësoi Britaninë e Madhe si partner kyç strategjik dhe u zotua për thellim të bashkëpunimit.

Duke folur për zhvillimin ekonomik, kryeministri Kurti vuri në pah rritjen e buxhetit shtetëror dhe rishpërndarjen e tij, duke theksuar sektorët me zhvillim si teknologjia dhe bujqësia.

Ai gjithashtu foli për investimet në mbrojtje, ushtrimet e përbashkëta ushtarake dhe bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar në ofrimin e trajnimeve dhe mbështetjes për Ukrainën.

Në fushën e reformave, Kurti vlerësoi zbatimin e Ligjit për të Huajt, duke theksuar procesin e tij gradual dhe pa përjashtime.

Sa i përket orientimit strategjik, kryeministri ritheksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian mbetet prioritet për garantimin e sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit afatgjatë.

Kurti po ashtu informoi Sekretaren Cooper për, siç tha ai, kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia me mbështetje të Rusisë, duke përmendur edhe ekzistencën e 48 bazave ushtarake të përparuara pranë kufirit me Kosovën.

Në lidhje me dialogun Kosovë–Serbi, ai përsëriti tri parakushtet për vazhdimin e procesit: dorëzimin e Milan Radoiçiqit nga Serbia, tërheqjen e letrës së ish-kryeministres Ana Bërnabiq dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Kurti theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve përmes një marrëveshjeje ligjërisht obliguese që përfundon me njohje të ndërsjellë.