Hakerët iranianë “hakuan” telefonin e ish-kreut të ushtrisë izraelite

Një grup hakerësh i lidhur me Iranin pretendon se ka depërtuar në pajisjet e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite (IDF), Herzi Halevi. Sipas grupit, ata kanë mbledhur më shumë se 19 mijë fotografi dhe video konfidenciale nga takimet më sekrete të Halevit. “Të gjitha objektet tuaja supersekrete, dhomat e krizës, hartat dhe […]

Bota

Një grup hakerësh i lidhur me Iranin pretendon se ka depërtuar në pajisjet e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite (IDF), Herzi Halevi.

Sipas grupit, ata kanë mbledhur më shumë se 19 mijë fotografi dhe video konfidenciale nga takimet më sekrete të Halevit.

“Të gjitha objektet tuaja supersekrete, dhomat e krizës, hartat dhe madje edhe detajet më të vogla të qendrave komanduese kanë qenë për ne si një libër i hapur”, kanë shkruar hakerët.

Ata kanë publikuar gjithashtu disa pamje që tregojnë Halevin duke vizituar baza ushtarake, duke mbajtur takime dhe duke ushtruar në zyrën e tij.

“Herzi Halevi është një nga figurat më të njohura dhe më kontroverse në ushtrinë izraelite dhe deri kohët e fundit ka shërbyer si shef i shtabit. Gjatë mandatit të tij, ai ka qenë përgjegjës për organizimin dhe ekzekutimin e shumë operacioneve ushtarake, të fshehta dhe të hapura, kundër popullit të Palestinës, Libanit dhe vendeve të tjera të rajonit. Dosja e tij përmban akte gjenocidi, masakra ndaj civilëve, bombardime pa dallim dhe krime lufte. Shumë nga bombardimet brutale në Gazë, vrasjet e synuara dhe shkatërrimi i infrastrukturës civile janë kryer nën drejtimin dhe urdhrat e tij të drejtpërdrejtë”, thuhet në deklaratën e grupit.

Janë publikuar edhe fotografi nga jeta familjare e Halevit, si dhe dokumente personale të tij dhe të bashkëshortes.

“Halevi jo vetëm që ka planifikuar dhe komanduar drejtpërdrejt këto operacione kriminale, por konsiderohet gjithashtu një nga arkitektët kryesorë të ndëshkimit kolektiv dhe strategjive të vrasjeve masive në vitet e fundit”, shton grupi.

Ky nuk është rasti i parë që grupi Handala publikon përmbajtje nga pajisjet e zyrtarëve izraelitë. Ata pretendojnë gjithashtu se kanë hakuar telefonat e ish-kryeministrit Naftali Bennett, ish-ministres së Drejtësisë, Ayelet Shaked dhe shefit të kabinetit të kryeministrit, Tzachi Braverman. /Telegrafi/