Ushtritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Norvegjisë udhëhoqën një operacion për të penguar nëndetëset ruse të dyshuara për “aktivitet të dëmshëm” në Atlantikun e Veriut, ka njoftuar sekretari britanik i mbrojtjes.
John Healey tha se një fregatë, aeroplanë dhe qindra personel monitoruan një nëndetëse sulmuese ruse dhe dy nëndetëse spiune pranë infrastrukturës nënujore në veri të Mbretërisë së Bashkuar.
Ai tha se anijet ruse përfundimisht u larguan pas operacionit që zgjati më shumë se një muaj.

Healey tha se mesazhi i tij për Rusinë ishte “ne e shohim aktivitetin tuaj mbi kabllot dhe tubacionet tona dhe ju duhet ta dini se çdo përpjekje për t’i dëmtuar ato nuk do të tolerohet dhe do të ketë pasoja serioze”.
Sipas Healeyt, “Putini do të donte që ne të shpërqendroheshim nga Lindja e Mesme”, por Rusia është kërcënimi kryesor për Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatët e saj.
“Nuk do t’i heqim sytë nga Putini”, tha ai.
Në fund të marsit, Mbretëria e Bashkuar deklaroi se ushtria e saj ishte gati të sekuestronte anije të dyshuara si pjesë e “flotës në hije” të anijeve ruse që transportonin naftë, në shkelje të sanksioneve ndërkombëtare për shkak të luftës së Moskës në Ukrainë.
Rusia thuhet se ka ndërtuar një flotilje me cisterna të vjetra nafte me pronësi të errët për të anashkaluar sanksionet e vendosura nga BE-ja, si dhe SHBA-ja dhe grupi i kombeve G7, për shkak të agresionit në Ukrainë në 2022. /Telegrafi/





