Hoti raporton për ekspozitën e Shkëlzen Gashit, Zemaj braktis mbledhjen pas përplasjes me kryetaren e Komisionit

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka raportuar sot në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione, lidhur me ekspozitën e Shkëlzen Gashit “Masakrat në Kosovë 1998–1999” të shfaqur ditë më parë në sheshin e Prishtinës, e që e cila nxiti […]

Nacionale

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka raportuar sot në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione, lidhur me ekspozitën e Shkëlzen Gashit “Masakrat në Kosovë 1998–1999” të shfaqur ditë më parë në sheshin e Prishtinës, e që e cila nxiti reagime të shumta për shkak të paraqitjes të disa informatave të pasakata.

Gjatë raportimit të ministrit nuk munguan as përplasjet partiake mes LDK-së dhe LVV-së.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ngriti pyetje për transparencën e financimit dhe pasojat institucionale.

“Kjo ekspozitë nuk rezulton me të vërtetën historike. Është një devijim që duhet të verifikohet institucionalisht. Mua më intereson të di cili ka qenë financimi i shtetit të kësaj ekspozite, ku është shpërndarë dhe a ka pasur pasoja nga këto devijime historike?”, tha Zemaj.

Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, u përgjigj duke thënë se mbrojtjen e vlerave të luftës e ka detyrë morale.

“Unë nuk i mësoj prej askujt dhe nuk i kam mësuar as nuk do t’i mësoj nga askush se çka janë vlerat e luftës çlirimtare. Jam rrit dhe lind me to, i kam në familje dhe i jetoj me to. Nuk i mbroj ato vetëm pse kam obligim të punës, por për detyrë morale dhe kombëtare. Ajo që ka ndodhur në dy javët e fundit është krijimi i një opinioni publik sikur ministria ime ka përgjegjësi për atë që ka ndodhur me ekspozitën. Financimin e kanë bërë disa organizata dhe vet Kuvendi i Kosovës, jo ministria. Nuk mund të heq pllakate që janë vendosur sepse Komuna e Prishtinës ka dhënë lejen”, tha Hoti, transmeton Telegrafi.

Ministri Hoti bëri të ditur se do të propozojë krijimin e një ligji për mbrojtjen e vlerave çlirimtare, për të adresuar çështjet e evidentuara dhe për të garantuar transparencë institucionale në të ardhmen.

“Si veprim institucional qa muj me bo në këtë drejtim është dhe kam me kriju ligjin për mbrojtjen e vlerave çlirimtare”, u shpreh ministri.

Gjatë diskutimeve pati përplasje mes Zemajt dhe kryetares së Komisionit, Fatmire Mulhaxha Kollçaku. Zemaj kritikoi trajtimin e çështjes nga Mulhaxha-Kollçaku.

“Nuk ka politikë këtu kryetare se ju aludoni gjithmonë te politika, nuk ka politikë nëse dikush e ka bë temë politike në të kaluarën ta mbajë në vlerësin e vet personal. Janë faktet dhe ne kërkojmë të mos ketë pasoja më shumë”, u shpreh Zemaj.

Më pas reagoi Mulhaxha-Kollçaku duke e pyetur nëse Zemaj ka kërkuar përgjigje institucionale nga kryetari Përparim Rama për dhënien e lejës për vendosjen e ekspozitës.

Zemaj iu përgjigj duke i thënë se “Aq shumë i banalizon temat sa çështjet emocionale historike i përkthen në çështje teknike është për keqardhje”

Kryetarja e komisionit iu kundërpërgjigj me “për keqardhje je edhe ti se po e ndërlidh me aty ku nuk duhet, se këshilltari i kujt ka qenë,. Ma e rëndësishme është kjo se ju doni me hedh gurin”

Debati eskaloi më tej kur Zemaj pyeti për kthimin e fondeve dhe tërheqjen e ekspozitës:

“Po, këshilltari i kujt ka qenë? A e ka tërhequr librin apo e ka kërkuar kthimin e fondeve? Ai e ka tërhequr ekspozitën…”

Pas këtyre replika të ashpra, deputeti Zemaj u largua nga mbledhja e komisionit. /Telegrafi/