‘Aleanca ushtarake Prishtinë-Tiranë-Zagreb’ – Vuçiq thotë se ‘ka marrë opinionin e Putinit’

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duket se është i shqetësuar aq shumë me “aleancën ushtarake ndërmjet Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”, sa që një temë të tillë e ka diskutuar edhe me presidentin rus, Vladimir Putin. Këtë e ka bërë të ditur ve...

Bota
Reklame

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duket se është i shqetësuar aq shumë me “aleancën ushtarake ndërmjet Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”, sa që një temë të tillë e ka diskutuar edhe me presidentin rus, Vladimir Putin.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Vuçiq, pas një telefonate që ka thënë se ka pasur me presidentin rus, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Vuçiq raportoi se, përveç zgjatjes së kontratës së gazit, ai diskutoi edhe tema të tjera me Putinin, duke deklaruar se ai e pyeti për Kosovën dhe Republikën Serbe, dhe se ata shkëmbyen mendime “për të gjitha çështjet e rëndësishme”.

“E prezantova edhe me aleancën e Zagrebit, Prishtines dhe Tiranes, biseduam për të gjitha temat”, ka thënë Vuçiq në fjalimin e tij në Presidencën e Serbisë.

Ai pretendon se e pyeti Putinin se çfarë mendonte për përfundimin e armiqësive në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, në Iran.

“Ai më dha shpjegimin e tij dhe pikëpamjen e tij për situatën, mendimin e tij”, ka thënë më tej Vuçiq.

Ndryshe, ka bërë të ditur ai, Serbia ka siguruar tre muaj të tjerë importi gazi nga Rusia.

Importet më të lira të gazit rus mbulojnë deri në 90% të nevojave të Serbisë, megjithëse Beogradi është përpjekur të diversifikojë furnizimin me gaz nga Azerbajxhani dhe gaz natyror të lëngshëm nga terminalet në Greqi.

“Ajo që ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për mua, dhe e falënderova Presidentin Putin, është se morëm një tjetër zgjatje tremujore të kontratës së gazit me kushte shumë të favorshme”, u ka thënë Vuçiq gazetarëve në Beograd.

Ai shtoi se zgjatja ruajti kushtet aktuale të çmimit dhe vëllimit. /Telegrafi/