Çarshia e Vjetër e Shkupit, dikur zemra e qytetit, po humb një nga elementët më karakteristikë të saj, zërat tradicionalë që i jepnin shpirt këtij vendi historik. Thirrjet e zejtarëve, tingujt e çekiçëve dhe komunikimi i gjallë mes tregtarëve po zbehen dita-ditës. Punishtet po mbyllen njëra pas tjetrës, ndërsa ata pak mjeshtër që kanë mbetur luftojnë të mbijetojnë mes mungesës së subvencioneve, interesit institucional dhe kushteve minimale për punë. Zejtarët kërkojnë reagim urgjent nga institucionet për të shpëtuar atë që ka mbetur nga zanatet tradicionale dhe për të rikthyer dinjitetin e Çarshisë.Ekrem Neziri, bojaxhia më i vjetër në Çarshinë e Vjetër, për Portalb.mk thotë se zanatin e ka trashëguar nga babai i tij dhe se sot këtë traditë po e vazhdojnë edhe fëmijët e tij. Por, sipas tij, zanati po mbijeton vetëm falë vullnetit dhe dashurisë familjare, jo falë ndonjë përkrahjeje institucionale.Ai tregon se para 50 vitesh, kur kishte nisur punën, në Çarshi kishte shumë më tepër materiale prej leshi dhe zanati kishte tjetër gjallëri. Ndërsa sot, sidomos në 20 vitet e fundit, pothuajse gjithçka që lidhej me leshin është zhdukur.Sipas tij, nga shteti nuk kanë marrë asnjë ndihmë konkrete. “Vijnë, fotografohen, reklamohen, por mbështetje nuk ka”, thotë ai, duke akuzuar institucionet se po e përdorin Çarshinë e Vjetër vetëm për imazh, ndërsa zejtarët po lihen të zhduken bashkë me traditën shekullore.Bujar Dullovi, kryetar i Shoqatës “Esnaf” të zejeve në Çarshinë e Vjetër, për redaksinë e Portalb.mk thotë se sot nuk janë në rrezik vetëm zejet, por edhe shumë zanate të tjera që po shkojnë drejt shuarjes. Sipas tij, modernizimi, hapja e tregjeve dhe depërtimi i produkteve të gatshme kanë goditur rëndë mjeshtërinë tradicionale.Ai thekson se dikur zanatet e Çarshisë kishin jetë, peshë dhe vlerë të veçantë, ndërsa sot po mbyten nga konkurrenca e padrejtë e mallrave industriale që vijnë nga vende të ndryshme dhe shiten shumë më lirë.Sipas tij, vetëm një numër i vogël zejesh kanë mbetur ende gjallë në Çarshinë e Vjetër, ndërsa pothuajse të gjitha të tjerat janë drejt zhdukjes. Arsyeja, siç nënvizon ai, është e qartë: tregu po favorizon produktet e gatshme dhe të lira, ndërsa puna me dorë po lihet në harresë.Çarshia e Vjetër e Shkupit si lokacion biznesi daton që nga shekulli XII. Me ardhjen e Perandorisë Osmane në Ballkan, u shndërrua në qendër kryesore të tregtisë së qytetit. Në të ndodheshin xhami, karvansaraje dhe hane.Gjatë periudhave të ndryshme historike e njëjta u godit nga fatkeqësi natyrore dhe dy luftërat botërore, por me iniciativë të sipërmarrësve që kanë bizneset aty pranë, u rindërtua duke ruajtur autenticitetin, deri në ditët e sotme.Më 13 tetor të vitit 2008 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u miratua ligj i posaçëm për Çarshinë e Vjetër të Shkupit, si trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë.
Çarshia e Shkupit në rrezik, po shuhen zanatet tradicionale
Çarshia e Vjetër e Shkupit, dikur zemra e qytetit, po humb një nga elementët më karakteristikë të saj, zërat tradicionalë që i jepnin shpirt këtij vendi historik. Thirrjet e zejtarëve, tingujt e çekiçëve dhe komunikimi i gjallë mes tregtarëve po zbeh...







