Deputeti i LVV në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Agim Bahtiri, i është drejtuar Familjes Jashari me një letër të hapur, duke kërkuar që ata të ofrojnë një kandidat për President të Republikës së Kosovës.
Në letrën e tij, Bahtiri thekson vakumin kushtetues pas përfundimit të mandatit të Presidentes Vjosa Osmani më 4 prill 2025 dhe ngërçin diplomatik që po përballet Kosova.

Ai gjithashtu thekson pasigurinë politike, polarizimin e skajshëm dhe migrimin e rinisë si pasojë të situatës aktuale.
Deputeti e cilëson Familjen Jashari si simbol të moralit, sakrificës dhe unitetit kombëtar dhe shpreh bindjen se një kandidat nga kjo familje do të ishte zgjidhja për të bashkuar vendin dhe për të rikthyer dinjitetin e Presidencës.
Bahtiri nënvizon se prezenca e një figure të tillë në krye të shtetit do të sigurojë stabilitet institucional, besimin e qytetarëve dhe mesazhin e qartë për aleatët dhe armiqtë e Kosovës.
Letra mbyllet me një apel të hapur për Familjen Jashari që të kontribuojë për unitetin dhe të ardhmen e shtetit, duke i dhënë Kosovës një “Jashar” në krye të Presidencës./Telegrafi/





