I mbijetuari i Masakrës së Burgut të Dubravës dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka reaguar ashpër ndaj një ekspozite publike për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, duke pretenduar se aty janë paraqitur pasaktësi të mëdha lidhur me ngjarjet në Burgun e Dubravës.
Sipas Dugollit, të dhënat e ekspozuara për Masakrën e Burgut të Dubravës nuk përputhen me faktet e njohura.
Ai thekson se në ekspozitë figurojnë 106 viktima, ndërkohë që, sipas tij, janë të konfirmuar 116 të vrarë dhe një person i zhdukur.

Një tjetër çështje që ai e cilëson si “tërësisht të pavërtetë” është pretendimi se një pjesë e viktimave kanë qenë të armatosur.
Dugolli ka theksuar se gjatë masakrës nuk ka pasur asnjë shqiptar të vrarë në cilësinë e personit të armatosur, duke insistuar se të gjithë të burgosurit kanë qenë civilë, të paarmatosur dhe të pambrojtur.
Ai ka kërkuar nga organizatorët e ekspozitës që të tërheqin menjëherë materialin për Dubravën dhe ta korrigjojnë atë, duke paralajmëruar se forma aktuale mund të dëmtojë të vërtetën historike dhe të përdoret për të përforcuar narrativa të rreme.
Po ashtu, Dugolli i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit, përkatësisht departamentit për krime lufte, që të përfshihet në këtë çështje dhe të nisë hetime për rastin./Telegrafi/





