Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar seancën e dytë stërvitore nën urdhrat e Franco Foda, fokus maksimal dhe disiplinë taktike para sfidës vendimtare të “play-off”-it për Kupën e Botës 2026 ndaj Sllovakisë.
Dardanët ka vijuar përgatitjet me intensitet të lartë, duke zhvilluar sot (e martë) seancën e dytë stërvitore në prag të përballjes vendimtare ndaj Sllovakisë në gjysmëfinalen e “play-off”-it për Kupën e Botës 2026.

Në kampin “Dardan”, atmosfera vazhdon të jetë jashtëzakonisht pozitive, një sinjal i qartë për gjendjen shpirtërore dhe motivimin e ekipit.
Nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda, futbollistët kanë treguar përkushtim maksimal në çdo segment të stërvitjes. Theksi ka qenë i vendosur te organizimi taktik, lëvizjet pa top dhe reagimi në situata të ndryshme loje, me lojtarët që kanë zbatuar me disiplinë çdo kërkesë të stafit teknik.
Seanca e fundit para nisjes drejt sfidës do të zhvillohet nesër (e mërkurë) në stadiumin Fadil Vokrri, duke filluar nga ora 11:00. Ky do të jetë momenti i fundit për të finalizuar detajet taktike dhe për të përforcuar besimin në grup para udhëtimit drejt Bratislavës.
Menjëherë pas stërvitjes, ekipi do të niset për në Bratislavë, aty ku të enjten i pret një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit. Një përballje që mund të përcaktojë fatin e Kosovës në rrugëtimin drejt ëndrrës së madhe – pjesëmarrjes në Kupën e Botës 2026. /Telegrafi/





