Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një mori urimesh me rastin e fitores në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor 2025 dhe zgjedhjes për një mandat të ri në krye të Qeverisë së Kosovës.
Në mesin e liderëve dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë që kanë uruar kryeministrin janë kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kryeministri i Republikës së Çekisë, Andrej Babiš, kryeministri i Dukatit të Madh të Luksemburgut, Luc Frieden dhe ambasadori jorezident i Shtetit të Katarit, Jabor bin Ali Al Dosari.

Në mesazhet e urimit, sipas zyrës së kryeministrit, theksohej mbështetja për integrimin euro-atlantik, reformat, luftimin e korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.
“Ne jemi mirënjohës për urimet dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe udhëheqësve të shteteve, që pasqyrojnë besimin në rrugën tonë drejt zhvillimit, sundimit të ligjit dhe përforcimit të institucioneve demokratike”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ai gjithashtu ka nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me shtetet, institucionet dhe organizatat përkatëse, duke theksuar se këto marrëdhënie janë thelbësore për përparimin e Kosovës në proceset euro-atlantike. /Telegrafi/





