Chuck Norris, mjeshtër i arteve marciale dhe një nga ikonat më të njohura të filmave aksion, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare.
Sipas njoftimit të familjes së tij, Norris ishte shtruar në spital në Havai të enjten, ndërsa sot është bërë e ditur se ai ka ndërruar jetë në orët e mëngjesit. Në deklaratë thuhet se ai u nda nga jeta i rrethuar nga familjarët dhe në paqe.
“Edhe pse do të donim t’i mbanim rrethanat private, duam që ta dini se ai ishte i rrethuar nga familja dhe u largua në paqe”, thuhet në reagimin e familjes.

Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur fansat në mbarë botën, të cilët kanë shprehur ngushëllime të shumta, por edhe mosbesim për humbjen e një figure kaq të dashur.
Vetëm pak ditë më parë, më 10 mars, Chuck Norris kishte festuar 86-vjetorin e lindjes, me ç’rast kishte ndarë një mesazh motivues me ndjekësit në Instagram.
“Nuk po plakem. Po përparoj. Sot mbusha 86 vjet! Nuk ka gjë më të mirë se pak aktivitet në një ditë me diell për t’u ndjerë i ri. Jam mirënjohës për një vit tjetër, për shëndetin e mirë dhe për mundësinë që të vazhdoj të bëj atë që dua. Faleminderit që jeni fansat më të mirë në botë. Mbështetja juaj gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë më e rëndësishme sesa mund ta imagjinoni. Zoti ju bekoftë”, kishte shkruar ai.
Chuck Norris do të kujtohet për karrierën e tij të gjatë në filmat aksion dhe veçanërisht për rolin në serialin e famshëm Walker, Texas Ranger, që e bëri atë një figurë kult në industrinë e argëtimit. /Telegrafi/





