Zyrtare: Alban Dragusha, trajner i ri i Prishtinës

Prishtina ka njoftuar zyrtarisht emërimin e Alban Dragushës si trajner të ri të skuadrës, pas largimit të Afrim Tovërlanit. Klubi prishtinas nuk ka vonuar me ndryshimet në shtabin teknik menjëherë pas dorëheqjes së Tovërlanit gjatë ditës së djeshme (...

Sport

Prishtina ka njoftuar zyrtarisht emërimin e Alban Dragushës si trajner të ri të skuadrës, pas largimit të Afrim Tovërlanit.

Klubi prishtinas nuk ka vonuar me ndryshimet në shtabin teknik menjëherë pas dorëheqjes së Tovërlanit gjatë ditës së djeshme (e martë).

Sot (e mërkurë) erdhi njoftimi zyrtar për emërimin e Dragushës si trajner i ri, pas një kohe të suksesshme të kaluar te Ramiz Sadiku në Ligën e Parë.

“Alban Dragusha është emëruar trajneri i ri i skuadrës sonë. Trajneri 44-vjeçar vjen pas një periudhe të suksesshme te skuadra e Ramiz Sadikut, të cilën e ka drejtuar që nga korriku i vitit 2023. Nën udhëheqjen e tij, kjo skuadër u shndërrua në një nga befasitë më të këndshme të ligës së parë në këtë sezon”.

“Gjatë karrierës së tij si trajner, Dragusha ka drejtuar edhe ekipin e Vushtrrisë, ndërsa nga viti 2019 deri më 2022 ka qenë pjesë e stafit teknik si ndihmës trajner te Drita”.

“Ai ka ndërtuar një karrierë të pasur edhe si futbollist, duke luajtur në disa vende si Ukraina, Azerbajxhani, Suedia, Shqipëria dhe Kosova”.

“Klubi i uron trajnerit Dragusha mirëseardhje dhe shumë suksese në drejtimin e skuadrës bardhekaltër”, thuhet në njoftimin e klubit kryeqytetas. /Telegrafi/