Nga: Jesse Edwards / Newsweek (titulli: Iran Destroyed the Trump-Vance Bromance) Përkthimi: Telegrafi.com
Edhe pse JD Vance ende nuk është rebeluar haptazi kundër Donald Trumpit, ai duket se po bën diçka shumë më të matur dhe politikisht më të sofistikuar: po pozicionohet për mundësinë që basti i Trumpit me Iranin ta çajë edhe më tej koalicionin që ndërtoi MAGA-n – më shumë sesa është çarë tashmë.
Zëvendëspresidentët rrallëherë e zgjedhin momentin e tyre. Ata ndjekin verbërisht agjendën e presidentit, mbrojnë vendimet me të cilat mund të mos jenë pajtuar dhe gëlltisin pakënaqësitë që nuk mund të shprehen publikisht. Por, çdo zëvendëspresident me ambicie presidenciale e kupton gjithashtu se, nëse historia kthehet kundër presidentit, personi më në pozitë për të udhëhequr fazën e ardhshme të lëvizjes do të jetë ai që mund të thotë se e kishte parë rrezikun që po afrohej.

Gjatë javës së kaluar, ka pasur disa sinjale të vogla që sugjerojnë se Vance po përgatitet për këtë pashmangshmëri.
I pari erdhi nga vetë Trumpi. Në komentet mbi goditjet ndaj Iranit, Trumpi pranoi hapur se zëvendëspresidenti i tij kishte qenë “më pak entuziast” për vendimin. Formulimi ishte shumë i drejtpërdrejtë. Presidentët rrallë e bëjnë publik mospajtimin filozofik me zëvendëspresidentin e tyre në ditët e para të një konflikti. Por, Trumpi e bëri këtë, duke e përshkruar Vancein si “paksa ndryshe në aspektin filozofik” kur bëhet fjalë për luftën.
Këto fjalë mund të duken të parëndësishme, por ato vendosin narrativën se Trumpi urdhëroi goditjet, ndërsa Vance kishte rezerva.
Për momentin, Vance ka bërë pikërisht atë që pritet nga një zëvendëspresident, por ka diçka dukshëm të përmbajtur në qëndrimin e tij. Në vend që ta mbështesë konfliktin me entuziazëm, ai ka lënë një hapësirë të vogël midis vetes dhe politikës, sa për të bërë të qartë se vendimi në fund i përket presidentit.
Kjo distancë ka rëndësi, sepse koalicioni MAGA që ndërtoi Trumpi ka përfshirë gjithmonë dy fraksione shumë të ndryshme në politikën e jashtme.
Njëra palë ende beson në qasjen tradicionale republikane për të afirmuar dominimin amerikan dhe për të ruajtur fuqinë dërrmuese ushtarake jashtë vendit. Ky botëkuptim pasqyron qëndrimin e sigurisë kombëtare që e ka përcaktuar partinë për dekada me radhë para ardhjes së Trumpit.
Gjysma tjetër beson se Shtetet e Bashkuara kanë kaluar njëzet vjetët e fundit të bllokuara në luftëra që sollën pak përfitime për votuesit amerikanë të cilët në rend të parë e dërguan Trumpin në Uashington. Ky kamp “Së pari Amerika” është thellësisht skeptik ndaj konflikteve të reja dhe i sheh me të drejtë ato si gabimet që Trumpi premtoi fillimisht t’i shmangte.
Zëri më i fuqishëm mediatik që përfaqëson kampin “Së pari Amerika” është, gjithnjë e më shumë, Tucker Carlson.
Carlsoni është një figurë polarizuese – madje edhe mes konservatorëve – por, ai ka kaluar vitet duke paralajmëruar se një luftë me Iranin do të përsëriste të njëjtat gabime strategjike që formësuan periudhën pas 11 shtatorit 2011. Kur nisën goditjet, ai nuk hezitoi ta kritikonte këtë veprim. Sipas tij, konflikti rrezikon t’i rikthejë Shtetet e Bashkuara në një mendësi ndërhyrëse të cilën Trumpi shpeshherë e ka refuzuar.
Shumë aleatë të Trumpit e akuzuan menjëherë Tuckerin se po braktiste lëvizjen dhe po e minonte presidentin në kohë lufte. Vetë Trumpi madje sugjeroi se Carlson “kishte humbur rrugën”.
Ndërsa disa republikanë nxituan të distancoheshin nga Carlsoni, Vance nuk iu bashkua këtij kori. Vetëm pak ditë më parë, ai kishte lavdëruar publikisht një nga intervistat e Carlsonit si “një bisedë vërtet e mirë” që konservatorët do të duhej ta dëgjonin. Në kontekstin e përplasjes në rritje midis Trumpit dhe Carlsonit, ky koment ka më shumë peshë sesa duket në shikim të parë.
Vance nuk e ka sulmuar Carlsonin, as nuk e ka qortuar. Madje as nuk ka bërë ndonjë përpjekje të lehtë për ta kthyer diskutimin në linjën e administratës. Ai thjesht ka refuzuar ta trajtojë Carlsonin si armik.
Kjo zgjedhje është domethënëse. Botëkuptimi i vetë Vanceit ka qenë më i afërt me skepticizmin populist që përfaqëson Carlsoni sesa me instinktet tradicionale më agresive të establishmentit republikan. Ai ka argumentuar vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara duhet të shmangin përfshirjen në konflikte të zgjatura në Lindjen e Mesme dhe, në vend të kësaj, të përqendrohen në rindërtimin e fuqisë ekonomike brenda vendit.
Me fjalë të tjera, ndarja filozofike që Trumpi e pranoi rastësisht është reale, por Vance duket se po lundron me kujdes në një linjë të mesme. Si një politikan që shihet gjerësisht si kandidat i ardhshëm për president, ai nuk mund të përballojë të tjetërsojë bazën populiste që mbetet thellësisht skeptike ndaj angazhimeve të jashtme, prandaj ka zgjedhur një paqartësi strategjike.
Nëse lufta përfundon shpejt dhe me sukses, Vance mund të bëjë me dije për besnikërinë e tij dhe të thotë se qëndroi në krah të administratës. Por, nëse konflikti zgjatet ose sjell pasoja që votuesit nuk i pëlqejnë, ai do të jetë në gjendje të thotë gjithashtu se kishte rezerva që në fillim.
Vance po i lë vetes hapësirë për të manovruar kur erërat politike të fillojnë të ndryshojnë. /Telegrafi/





