Xabi Alonso vendos kushtet për Liverpoolin: Kërkon tre përforcime për të marrë drejtimin

Xabi Alonso është i gatshëm të marrë drejtimin e Liverpool, por vetëm nëse plotësohen disa kushte të qarta në afatin kalimtar veror, raportojnë mediat spanjolle. Pozita e trajnerit aktual, Arne Slot, është vënë nën presion pas rezultateve të dobëta, ...

Sport

Xabi Alonso është i gatshëm të marrë drejtimin e Liverpool, por vetëm nëse plotësohen disa kushte të qarta në afatin kalimtar veror, raportojnë mediat spanjolle.

Pozita e trajnerit aktual, Arne Slot, është vënë nën presion pas rezultateve të dobëta, përfshirë barazimin në shtëpi ndaj Tottenham, që u shoqërua me reagime negative nga tifozët.

Edhe pse fitoi titullin në sezonin e tij të parë, e ardhmja e tij në “Anfield” mbetet e paqartë.

Alonso, i cili më parë ishte në radarët e Liverpoolit si zëvendësues i Jürgen Klopp, shihet sërish si kandidati ideal për të marrë drejtimin e skuadrës.

Megjithatë, sipas raportimeve, trajneri spanjoll dëshiron garanci të forta për projektin sportiv dhe ka kërkuar tri përforcime kyçe para se të pranojë ofertën.

Sipas burimeve, kërkesat e Alonsos janë një mbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues. Në krye të listës është Alessandro Bastoni – mbrojtësi i Interit, I cili shihet si zëvendësues ideal afatgjatë për kapitenin Virgil van Dijk, i cili po i afrohet fundit të karrierës.

Po ashtu si përforcim i rëndësishëm shihet edhe Adam Wharton – mesfushori i Crystal Palace, i cili do ta krijonte një partneritet të duhur me Ryan Gravenberch në mesfushë.

I fundit, por jo nga rëndësia është Bradley Barcola – sulmuesi i Paris Saint-Germain, I cili shihet si përforcim i nevojshëm për repartin ofensiv.

Liverpool ka pasur probleme në disa reparte këtë sezon. Mbrojtja nuk ka qenë stabile, ndërsa në mesfushë ka munguar vazhdimësia, pavarësisht emrave si Alexis Mac Allister.

Në sulm, forma e Mohamed Salah ka rënë, ndërsa largimi i Luis Díaz dhe paraqitjet jo bindëse të Cody Gakpo kanë bërë që skuadra të humbasë efikasitetin.

Alonso është i hapur për të marrë drejtimin e skuadrës, por vetëm nëse drejtuesit e klubit i plotësojnë këto kërkesa. Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse Fenëay Sports Group do të investojë sërish shuma të mëdha, sidomos nëse Liverpool nuk arrin të sigurojë një vend në Ligën e Kampionëve.

Vendimi final pritet në javët në vijim, të vazhdohet me Slot apo të nisë një epokë e re me Alonson në krye. /Telegrafi/