NATO riafirmon mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi dhe rolin e KFOR-it

NATO ka rikonfirmuar përkushtimin e saj për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjatë një takimi në selinë e saj mes Zëvendës Sekretares së Përgjithshme, Radmila Shekerinska, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për d...

Nacionale

NATO ka rikonfirmuar përkushtimin e saj për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjatë një takimi në selinë e saj mes Zëvendës Sekretares së Përgjithshme, Radmila Shekerinska, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Në një njoftim zyrtar, NATO theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe rolin kyç të dialogut në arritjen e një zgjidhjeje afatgjatë.

“NATO vazhdon të bëjë gjithçka që është e mundur në aspektin ushtarak në terren për të ruajtur paqen, në të mirë të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Por zgjidhja përfundimtare për stabilitet të qëndrueshëm rajonal është politike”, deklaroi Shekerinska, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se Aleanca mbështet plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, si dhe përpjekjet e përfaqësuesit të BE-së në këtë proces.

“NATO vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet më tej.

Në njoftim gjithashtu vlerësohet bashkëpunimi i ngushtë mes NATO-s dhe BE-së, duke theksuar se koordinimi i vazhdueshëm është thelbësor për përparimin e dialogut.

Ndërkohë, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, vazhdon të luajë rol kyç në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX. /Telegrafi/