Shefja e Stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, është diagnostikuar me kancer në gji dhe do të vazhdojë në rolin e saj ndërsa i nënshtrohet trajtimit.
“Pothuajse një në tetë gra në Shtetet e Bashkuara do të përballen me këtë diagnozë”, tha Wiles, 68 vjeç, në një deklaratë të hënën, transmeton Telegrafi.
“Çdo ditë, këto gra vazhdojnë të rrisin familjet e tyre, të shkojnë në punë dhe t’u shërbejnë komuniteteve të tyre me forcë dhe vendosmëri. Tani unë bashkohem me radhët e tyre”, shtoi ai.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e vlerësoi Wiles duke e quajtur atë “një luftëtare të mrekullueshme”.
“Susie, si një nga këshilltaret e mia më të afërta dhe më të rëndësishme, është e ashpër dhe thellësisht e përkushtuar për t’i shërbyer Popullit Amerikan. Ajo së shpejti do të jetë më mirë se kurrë”, shkroi Trump në Truth Social.
Wiles do të vazhdojë të punojë “pothuajse me kohë të plotë në Shtëpinë e Bardhë” ndërsa i nënshtrohet trajtimit, shkroi Trump.
Ajo nuk ndau detaje të planit të saj të trajtimit, por tha se mjekët e kishin zbuluar kancerin herët dhe ajo kishte një “prognozë të fortë”.
Wiles është gruaja e parë që shërben si shefe e stafit të Shtëpisë së Bardhë. E konsideruar si roli më i rëndësishëm i stafit të Shtëpisë së Bardhë, shefat e stafit e mbajnë agjendën e presidentit në rrugën e duhur.
Menjëherë pas njoftimit të saj, Wiles iu bashkua Trump në një aktivitet për të diskutuar Qendrën Kennedy, vendin kryesor të arteve performuese në Uashington, të cilin presidenti është përpjekur ta riformësojë dhe ridizajnojë në mënyrë dramatike sipas imazhit të tij. /Telegrafi/





