Fetoshi: Nga portalet e rreme te rrjetet sociale – si po funksionon rrjeti i propagandës ruse

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride OCTOPUS, Arben Fetoshi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me një hulumtim të rrjetit ndërkombëtar të gazetarisë investigative OCCRP (Organized Crime and Corruption Reporting Project),...

Nacionale

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride OCTOPUS, Arben Fetoshi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me një hulumtim të rrjetit ndërkombëtar të gazetarisë investigative OCCRP (Organized Crime and Corruption Reporting Project), i cili zbulon mënyrat se si maskohen operacionet moderne të ndikimit rus në Evropë.

Sipas Fetoshit, hulumtimi tregon se operacionet e ndikimit përdorin identitete fiktive, portale të rreme dhe ndërmjetës financiarë për të përhapur narrativa dhe dezinformata në hapësirën mediatike evropiane. Ai përmend rastin e portalit gjermanofolës “Anonymous News”, ku si autor ishte paraqitur emri Achim Detjen, një personazh fiktiv nga një serial televiziv i Gjermanisë Lindore të viteve ’70, i lidhur me propagandën e epokës së Luftës së Ftohtë.

Në një nga artikujt e publikuar në këtë portal, sipas hulumtimit, ishte sajuar pa prova një lidhje mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe të dënuarit për krime seksuale Jeffrey Epstein. Ndërkohë, linku i autorit nuk çonte te ndonjë gazetar real, por te faqja në gjuhën gjermane e transmetuesit shtetëror rus RT, ku ishin publikuar edhe materiale të tjera nën të njëjtin emër fiktiv.

Hetimi i OCCRP ka zbuluar gjithashtu një rrjet personash realë që qëndronin pas këtij operacioni, përfshirë një gjerman të ekstremit të djathtë Mario Rönsch, një oficer të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), Alexey Bashilov, si dhe një bullgar të quajtur Ivelin Borisov, i cili ishte paguar për të figuruar si pronar formal i një kompanie mediatike që pranonte donacione nga lexuesit.

Sipas Fetoshit, donacionet për portalin dërgoheshin përmes një llogarie PayPal të kompanisë çeke “AN Média a Platební Služby s.r.o.”, e cila rezultonte në pronësi të Borisovit. Megjithatë, ai rezulton të jetë një burrë i varfër që jeton në kushte të vështira dhe që kishte marrë vetëm 200–300 euro për të nënshkruar dokumentet e kompanisë në Çeki.

Dokumentet e kompanisë përmendin edhe një shtetase çeke, Magdalena Průšová, e cila ka konfirmuar se kishte shoqëruar Borisovin te një noter dhe se pas kompanisë qëndronte një person gjerman i quajtur Mario.

Artikujt e portalit “Anonymous News” shpërndaheshin gjithashtu përmes një llogarie në Telegram me emrin Corob_12, ndërsa identifikimi i numrit të telefonit të lidhur me këtë llogari çoi tek Alexey Bashilov dhe selia e FSB-së në Moskë.

Në vitet 2024 dhe 2025, portali kishte publikuar edhe lidhje për shpërndarjen e dokumenteve të hakuara nga Foreign Office dhe ambasada britanike në Moskë, të cilat më parë ishin publikuar nga Ministria e Jashtme e Rusisë.

Sipas Fetoshit, ky hulumtim dëshmon se operacionet hibride të ndikimit rus funksionojnë përmes maskave të identiteteve të rreme, portaleve fake, ndërmjetësve financiarë dhe rrjeteve sociale, duke përfshirë platforma si Telegram dhe kanale të tjera të kontrolluara për shpërndarjen e propagandës.