Trajneri i ri i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut në futboll, Goce Sedlloski, ka nisur zyrtarisht punën e tij duke shpallur listën e futbollistëve për ndeshjen gjysmëfinale të Play-Off-it kundër Danimarkës. Kjo përballje do të zhvillohet më 26 mars në udhëtim, njofton Telegrafi.
Në listën e publikuar nga Sedlloski rikthehen disa emra të njohur si Egzon Bejtullai, Boban Nikolov dhe Ljupçe Doriev, të cilët do të veshin sërish fanellën e përfaqësueses. Ndërkohë, në këtë grumbullim ka edhe disa prurje të reja.
Për herë të parë janë ftuar Imran Fetai nga Shkëndija, Dani Musovski nga Seattle Sounders si dhe mbrojtësi Sebastian Herrera, kolumbian me pasaportë maqedonase që aktivizohet te Borac Banja Luka.

Grumbullimi i parë i ekipit do të mbahet të hënën në hotelin Hilton në Shkup. Pas disa ditësh stërvitje në kryeqytet, përfaqësuesja do të udhëtojë drejt Kopenhagës, ku do të përballet me Danimarkën në gjysmëfinalen e play-off-it.
Nëse arrin të kalojë danezët, Maqedonia do të luajë në finale kundër fituesit të përballjes mes Republikës Çeke dhe Irlandës. Ndërkohë, skuadrat humbëse të këtyre ndeshjeve do të zhvillojnë një takim miqësor mes tyre. /Telegrafi/





