Një seancë për ngacmim seksual në Fushë Kosovë nuk nisi në kohë, të hënën.
Seanca që ishte paraparë të fillonte nga ora 9:00, nisi me 40 minuta vonesë, gjë që nxiti reagimin e Arianit Kocit, avokat i viktimës.
Arsyetimi që morën nga gjyqtarja e rastit dhe mbikëqyrësja ishte se po e presin prokurorin, ani pse prokurori ishte në sallë së bashku me mbrojtësin e viktimës e viktimën.
Koci, që fillimisht reagoi në Facebook, bëri të ditur për KosovaPress se ka kërkuar që shqyrtimi gjyqësor, të trajtohet me seriozitet dhe sipas ligjit, pasi siç tha ai, është rast i ndjeshëm.
Siç tha ai, viktima gjatë pritjes ka qenë shumë e shqetësuar që nuk u vlerësua nga institucioni i lartë.
“Seanca filloi me vonesë, në këtë fazë unë kërkoj që ky shqyrtim gjyqësor të trajtohet sipas ligjit dhe me seriozitetit, të cilin e përcakton ligji. Mbas 40 minutave filloi. Gjatë kësaj kohe klientja ime e ka ndjerë vetën shumë keq dhe ka qenë shumë e shqetësuar”, tha Koci.
KosovaPress i ka dërguar edhe pyetje Gjykatës Themelore në Prishtinë, por ende nuk ka marrë një përgjigje. /Telegrafi/






