Old Bailey, gjykata më e rëndësishme për krimet e rënda në Londër, në ndryshim nga misioni sublim, mban strukur aty brenda edhe dëshminë e gabimeve të drejtësisë. Në vitin 1750, nga bodrumet ngjitur me ndërtesën ku mbaheshin në mizerie higjiene të burgosurit, u ngjit deri në gjykatë një virus vdekjeprurës. Vetëm kur tifoja e lindur në këtë inkubator çnjerëzor shkaktoi vdekjen e gjyqtarëve disa kate më sipër, u kujtuan se në themelet e saj, të burgosurit vriteshin pa gjyq. Mu aty në sheshin përpara, mbreti Henri i VIII urdhëroi “vdekje me përvëlim” për Roose-n, kuzhinierin personal të peshkopit Fisher, sepse kishte helmuar darkën e të ftuarve të këtij të fundit, për inat të tij. Vdekja makabre ekzekutuar në një tenxhere gjigande mbi turrën e druve u urdhërua me një akt antiligjor. Por, ajo garantoi paranojën e Henrit për mospërsëritjen e shembullit, duke u dhënë një mësim kuzhinierëve në mbarë Mbretërinë, njëkohësisht. Kështu, ligji jo gjithmonë përligj drejtësinë, ndërkohë që drejtësia duhet të jetë ati dhe biri i ligjit.
E megjithatë, jo të gjithë kanë një model të së drejtës, e përsa e tillë, ajo mbetet mjeti më subjektiv për të ndarë të mirën nga e keqja. Vatikani ndaloi “Dialogu-n” dhe dënoi Galilein me burg, duke e detyruar astronomin e madh, për tri vjet rresht të recitonte psalmet e pendimit, një herë në javë. Idetë e tij Kopernikiane e heliocentriste, kundërshtonin dogmën fetare, por e drejta e fesë për të kundërshtuar shkencën kishte mësuar edhe më keq, djegien për së gjalli. Julius dhe Ethel Rozemberg vdiqën në karrige elektrike, duke pranuar heshtjen si idealin më të lartë të besnikërisë ndaj një burri, si Josif Stalini. Morali i së drejtës dhe ligji për ta mbërritur atë janë dy binarë që duhet të konvergjojnë, por kjo nuk ndodh rëndom. Modelet e gjyqeve të gabuara, edhe pse nisur nga kontekste të ndryshme, në thelb kanë treguar të njëjtën gjë: historia mëson se, njeriu nga historia nuk mëson asgjë.
Rasti i krijimit të Gjykatës Speciale të Kosovës do ta ketë të gjatë jehonën e debatit, në shumë auditorë universitetesh apo përplasje akademikësh. Thagma sui generis, do të jetë kazusi më i pazakontë në të drejtën ndërkombëtare penale, se si një popull i vogël i dhunuar me shekuj nga serbët, fiton një luftë çlirimtare me ndihmën e të huajve dhe po këta të huaj pas luftës i diktojnë të bëjnë një gjyq, me anë të së cilit të njollosin kauzën e përbashkët. Një narrativë e shkurtër është preludi i një prej paradokseve më të çuditshme që ligji material dhe procedural kanë njohur. Dick Marty bën një raport mbi të cilin Këshilli i Europës ngre një njësi hetimore, e cila pasi bën hetime, thotë se në Kosovë ka terren për të ngritur akuza, për krime kundra njerëzimit.
Sipas raportit, këto krime i kanë kryer anëtarë të ushtrisë jo të akuzuarit e sotshëm, të cilët janë pas hekurave për përgjegjësi komanduese. Europës për këtë i duhet një tribunal me juridiksion për krime të parashikuara nga e drejta ndërkombëtare. Po si t’ia bëj? Kosova hesht, është e vogël dhe e pafuqishme. E sapodalë nga lufta, ajo nuk ka gjykata të veta të shqyrtojnë çështje të tilla, e për më tepër kundra luftës së saj të shenjtë. Por, diplomacia përdor shkopin dhe karotën: marrëveshja e stabilizim-asociimit është në tryezë, mos nënshkrimi është një tren që humb të ardhmen, e ndërkohë ndërgjegjja nuk e cek krimin për të cilin akuzohet. Shkopi? Ndryshimi i Kushtetutës kosovare për të hapur një gjykatë posaçërisht për këto krime.
Dhe, kështu u bë, gjykata e krijuar nga Parlamenti kosovar me gjyqtarë kushërinjtë e atyre që kishin për detyrë të ndalonin masakrën e Sebrenicës, u vendos në Hagë, një rastësi kjo shumë e parastësishme. Në Hagë, historia ka parë të krijohen gjykata ndërkombëtare, si fjala vjen ajo ICTY e krijuar nga OKB-ja dhe në bankën e të akuzuarve të vendosë kriminelët Millosheviq dhe Karaxhiq, për krime kundra njerëzimit, duke nisur nga Kroacia e duke shkuar deri në Kosovë. Sa për shembull, nja tetë mijë myslimanë boshnjakë, të therur. Në unison, tribunali ndërkombëtar i kishte akuzuar këta kriminelë, bazuar mbi mijëra dëshmi krimesh monstruoze, dhe çuditërisht proceset nuk kishin nisur mbi raporte komisionerësh. Gjykata Speciale është pjesë e juridiksionit të Kosovës, por trajton një çështje të së drejtës ndërkombëtare për krime kundra njerëzimit, sepse ligji që i diktuan, me ndryshime kushtetuese qeverisë kosovare, tashmë i dha kompetencë. Me fjalë të tjera, ndërkombëtarët i thanë Kosovës: urdhëro krimet që do akuzosh vetveten, hap gjykatën që lejon juridiksionin e krimeve ndërkombëtare që të dënosh vetveten, urdhëro edhe gjyqtarët po t’i japim ne, por gjykata do quhet e Kosovës. E thënë akoma më shqip, demek dënimin e krerëve të UÇK-së e do vetë Kosova, por kjo do të bëhet për hatër të Dick-ut, dhe me duart e ndërkombëtarëve, në emër të Kosovës.

Gratë e Diasporës: Fuqia e nënvlerësuar që mund të transformojë zhvillimin lokal në Kosovë
E gjitha kjo akrobaci procedurale, duke detyruar Kosovën që të krijojë një gjykatë kombëtare për t’u marrë nderin ndërkombëtarisht liderëve të UÇK-së është njollosje indirekte, e gjithë kauzës për liri dhe e asaj pjese të ndërkombëtarëve, që me të drejtë për herë të parë në histori, u vunë në krah të kombit shqiptar. Dhe, e tëra kjo, e bërë me duart e vetë Kosovës, mbajtur peng për të shlyer haraçin e pavarësisë së merituar. Haga nuk është një rastësi, por edhe nëse do të ishte e tillë, për këdo që sheh një tribunal ndërkombëtar dhe që nuk di të vërtetën e kulisave juridikë, vendos në të njëjtin moral, liderët kriminelë të luftërave ekspansioniste, me liderët e një lufte mbrojtëse dhe çlirimtare, kur kriminelët i kishin bujtur në derë.
Në Prekaz dielli ka rënë mbi varret e Jasharajve, në Kosovë prehen djemtë e tjerë. Indriti, që la Londrën për kombin, iu kthye Shqipërisë hero, Skerdi prehet në Tiranën e tij. Shpirtrat e të rënëve në Kosovë kërkojnë drejtësi për Ademin, Indritin, Skerdin, Ilirin e mijëra bijë dhe bija nënash, që u vranë për të qenë zot të shtëpisë së tyre. Kushdo që ka kryer krime kundra njerëzimit, duhet dënuar, por ajo çfarë nuk duhet ngatërruar në të gjithë këtë histori është ideali dhe lufta e drejtë e Kosovës kundrejt mostrës Ballkanike me emrin Serbi. Duke bërë kështu, në mënyrë indirekte njolloset morali i UÇK-së dhe në mënyrë direkte në memorien e opinionit mbarë botëror, shtrembërimi i historisë zë dhe ulet shtruar.
Arsyetimi, kinse për mosintimidimin e dëshmitarëve dhe përdorimi i gjyqtarëve të huaj, është rezymeja më evidente e ndikimit kryekëput të një procesi politik, anormal, sa i rëndë aq edhe atipik, krahasuar me tribunalët e tjerë ndërkombëtarë për raste analoge akuzash. Por, nënteksti politik vjen natyrshëm në këtë katrahurë procedurale, ndoshta duke mbajtur nën mëngë, një qokë diplomatike. Këtu spekulimi merr krahë, sepse Serbia duhet mbajtur e urtë. Ti Kosovë ke shekuj që nënshtrohesh, ti mban. Serbia ka pak vite që ka reshtur gjakun, ajo duhet heshtur. Ty Kosovë pavarësinë ta kemi dhënë me çapa, prano situatën e momentit të lypësh qëndresën, përndryshe, një traktat larg je, nga goja e shkjaut.
Familja Jashari kërkon drejtësinë e sakrifikuar të fëmijëve të pafajshëm, e bombarduar për tridhjetë e gjashtë orë, vdekur aty brenda. Eshtrat e Skerdit dhe të Indritit nuk gjejnë paqe, kanë të drejtë, u këputën në lule të jetës, dhanë rininë për kombin. Iliri pyet ku shkoi e drejta dhe a ka Kosova paqen e merituar. Gjyqi i nëmur, mund të përmbysë turpësisht moralin dhe të drejtën e një lufte çlirimtare. Ankthi i pritjes qëndron pezull, për të mosdëgjuar një sentencë që mund të ndërrojë kursin e historisë. Shkjau pret me dorën në këmbëz. E deri në atë çast, Ademi i paqetë do rri duke pritur edhe një herë tjetër klithmën, “Bac, u kry”!





