Gratë e Diasporës: Fuqia e nënvlerësuar që mund të transformojë zhvillimin lokal në Kosovë

Blerinë Ukshini, menaxhere e projekteve në Organizatën Germin

Pozita e grave në sferën politike dhe ekonomike vazhdon të mbetet e brishtë në Kosovë; në politikë shpesh lidhet me kuotën gjinore të domosdoshme për pjesëmarrje në kuvende komunale, ndërsa në ndërmarrësi është e koncentruar kryesisht në biznese mikro dhe të mesme. Kjo nuk lidhet me mungesë potenciali të grave e vajzave, por me barriera strukturore dhe me modele tradicionale që ende ndikojnë në shpërndarjen e pushtetit dhe mundësive.

Në anën tjetër, përtej kufijve, gratë dhe vajzat me origjinë nga Kosova e Shqipëria, në diasporë, po vazhdojnë çdo ditë e më shumë të përfshihen në jetën politike, në pozita udhëheqëse, punë në kompani prestigjioze dhe në ndërmarrësi. Megjithëse edhe këtu nuk mund të themi se numri është enorm, vitet e fundit ka pasur një përmirësim të dukshëm për shkak të ndryshimit të rrethanave dhe kontekstit historik. Në të kaluarën, shumica e grave në diasporë kanë qenë më pak të integruara për shkak të rrethanave të migracionit; ndërkaq tani, gjeneratat e reja që kanë lindur dhe/apo shkolluar në diasporë, janë shumë më të integruara. Ky fakt natyrisht që bën diferencën, duke përmirësuar pozitat e tyre në jetën ekonomike, sociale e politike.

Kur përmendet diaspora, mendimi që na lidh më së shumti është potenciali ekonomik, sidomos në aspektin e remitancave; atdhedashuria, që e ndërlidh diasporën me aspektin emocional/simbolik; investimet kapitale në blerje të pronave të paluajtshme; si dhe përkrahja politike për subjekte të caktuara.

Në fakt, shpesh harrohet të përmendet potenciali më i madh që mund të kemi nga diaspora: ai i dijes, “rikthimi i trurit”. Në raste konkrete, fuqizimi i grave në politikë dhe ndërmarrësi në nivel lokal në Kosovë mund të ndodhë duke krijuar ura lidhëse mes grave në diasporë dhe atyre në vend.