Penallti e humbur, katër gola në pjesën e dytë dhe plot dramë – Gjilani fiton derbin ndaj Malishevës

Sport

Gjilani ka triumfuar në derbin ndaj Malishevës me rezultat 3-2, në kuadër të javës së 13-të të elitës së futbollit kosovar, duke marrë tri pikë të rëndësishme në garën për pozitat e kreut të tabelës. Gjilani e nisi më mirë takimin dhe kaloi në epërsi që në minutën e 11-të. Arjol Bllaca përfitoi nga asistimi […]

Madhësia e shkronjave

Gjilani ka triumfuar në derbin ndaj Malishevës me rezultat 3-2, në kuadër të javës së 13-të të elitës së futbollit kosovar, duke marrë tri pikë të rëndësishme në garën për pozitat e kreut të tabelës.

Gjilani e nisi më mirë takimin dhe kaloi në epërsi që në minutën e 11-të. Arjol Bllaca përfitoi nga asistimi i Ardian Limanit dhe e dërgoi topin në rrjetë për 1-0.

Malisheva reagoi në fillim të pjesës së dytë, kur në minutën e 47-të Valmir Nafiu shënoi për 1-1, pas asistimit të Rimal Haxhiut, duke rikthyer baraspeshën në këtë përballje.

Mysafirët patën mundësinë e artë për ta përmbysur rezultatin në minutën e 73-të, kur fituan një penallti. Megjithatë, Nafiu nuk arriti ta shfrytëzonte rastin, pasi portieri Marijan Coric reagoi shkëlqyeshëm dhe ia priti goditjen nga pika e bardhë.

Dënimi për këtë rast të humbur erdhi vetëm pesë minuta më vonë. Në minutën e 78-të, Arjol Bllaca realizoi golin e dytë personal dhe riktheu epërsinë për Gjilanin, duke e çuar rezultatin në 2-1.

Gjilani nuk u ndal me kaq dhe në minutën e 87-të e shënoi edhe golin e tretë. Kësaj radhe Bllaca ishte në rolin e asistuesit, duke shërbyer për Bleart Tolajn, i cili realizoi për 3-1.

Megjithatë, Malisheva nuk u dorëzua dhe në minutën e 92-të arriti ta ngushtonte epërsinë. Xhemajl Ibishi shënoi për 3-2, duke i dhënë fund një derbi me shumë emocione, por pa ia dalë ta shmangte humbjen e skuadrës së tij.

Me këtë fitore, Gjilani shkon në kuotën e 22 pikëve dhe ngjitet në pozitën e katërt në tabelë.

Në anën tjetër, Malisheva mbetet me 27 pikë në vendin e dytë, dy më pak se liderja Prishtina, e cila ka 29 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar./Telegrafi/

Komentet