Trombocitopenia tek fëmijët: Çfarë duhet të dinë prindërit për simptomat, diagnostikimin dhe trajtimin

shendetesi

Njollat e kuqe në lëkurë, mavijosjet e shpeshta dhe gjakderdhja mund të jenë shenja të uljes së trombociteve. Si zbulohet kjo gjendje, kur kërkon trajtim dhe çfarë duhet të kenë parasysh prindërit? Dr. Flora SelimiPediatër i përgjithshëmSubspecialist hematolog Trombocitopenia tek fëmijët është një gjendje në të cilën numri i trombociteve, të njohura edhe si pllakëza […]

Madhësia e shkronjave

Njollat e kuqe në lëkurë, mavijosjet e shpeshta dhe gjakderdhja mund të jenë shenja të uljes së trombociteve. Si zbulohet kjo gjendje, kur kërkon trajtim dhe çfarë duhet të kenë parasysh prindërit?

Dr. Flora SelimiPediatër i përgjithshëm
Subspecialist hematolog

Trombocitopenia tek fëmijët është një gjendje në të cilën numri i trombociteve, të njohura edhe si pllakëza të gjakut, është më i ulët se vlerat normale. Trombocitet luajnë rol të rëndësishëm në ndalimin e gjakderdhjes, duke ndihmuar në formimin e mpiksjes së gjakut. Kur numri i tyre zvogëlohet, mund të rritet rreziku për gjakderdhje.

Megjithatë, jo çdo fëmijë me trombocite të ulëta ka nevojë për trajtim. Gjithçka varet nga shkaku, shkalla e uljes së trombociteve dhe simptomat që paraqiten.

Çfarë është trombocitopenia?

Trombocitopenia përkufizohet si ulje e numrit të trombociteve nën 150.000/mm³ gjak.

Një ndër shkaqet më të zakonshme të trombocitopenisë së fituar tek fëmijët është trombocitopenia imune (ITP), e njohur më parë si purpura trombocitopenike idiopatike. Kjo është një sëmundje autoimune, në të cilën sistemi imunitar i organizmit sulmon gabimisht trombocitet, duke shkaktuar zvogëlimin e numrit të tyre.

Trombocitopenia mund të shfaqet edhe si pasojë e infeksioneve, përdorimit të disa barnave, çrregullimeve të lindura, sëmundjeve hematologjike ose sëmundjeve malinje.

Përcaktimi i shkakut është i rëndësishëm, sepse jo të gjitha format e trombocitopenisë trajtohen në të njëjtën mënyrë.

Shenjat dhe simptomat

Shenjat klinike varen nga shkalla e uljes së trombociteve dhe nga gjendja e përgjithshme e fëmijës.

Simptomat më të zakonshme përfshijnë:

Petekie – pika shumë të vogla, të kuqe ose vjollcë, që shfaqen në lëkurë, veçanërisht në gjymtyrë, dhe nuk zbardhen kur ushtrohet presion mbi to.
Purpura – njolla më të mëdha, të kuqe ose vjollcë, që krijohen nga gjakderdhja nën lëkurë.
Ekimoza (mavijosje) – nxirje të lëkurës që mund të shfaqen edhe pas goditjeve shumë të lehta.
Gjakderdhje nga hunda (epistaksis) ose nga mishrat e dhëmbëve.
Gjak në urinë ose jashtëqitje, që mund të tregojë gjakderdhje në traktin urinar apo tretës.
Menstruacione të bollshme, tek vajzat që kanë hyrë në pubertet.
Hemorragji intrakraniale – një ndërlikim jashtëzakonisht i rrallë, por serioz, që kërkon ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.

Është e rëndësishme të theksohet se disa fëmijë mund të kenë trombocite të ulëta pa paraqitur simptoma të dukshme. Në këto raste, gjendja mund të zbulohet rastësisht gjatë analizave të gjakut.

Si diagnostikohet trombocitopenia?

Diagnostikimi mbështetet në historinë mjekësore të fëmijës, ekzaminimin klinik dhe analizat laboratorike.

1. Analizat e gjakut

Hemogrami – përcakton numrin e trombociteve dhe vlerëson parametrat e tjerë të gjakut.
Strishoja e gjakut periferik – mundëson vlerësimin e trombociteve dhe qelizave të tjera të gjakut, për të identifikuar ndryshime jonormale.
Analizat shtesë – sipas nevojës mund të përfshijnë vlerësimin e funksionit të mëlçisë, veshkave dhe nivelit të imunoglobulinave.

2. Testet për shkaktarë infektivë

Në raste të caktuara, mjeku mund të kërkojë analiza për infeksione që shoqërohen me ulje të trombociteve, si:

▪ Virusi Epstein-Barr (EBV);
▪ Citomegalovirusi (CMV);
▪ HIV dhe viruset e hepatitit;
▪ COVID-19, kur ekziston dyshim klinik.

Këto analiza nuk janë të domosdoshme për çdo fëmijë, por përcaktohen sipas simptomave dhe vlerësimit të mjekut.

3. Biopsia e palcës kockore

Biopsia ose aspirimi i palcës kockore nuk nevojitet zakonisht në rastet tipike të trombocitopenisë imune.

Ky ekzaminim mund të kërkohet kur ekzistojnë shenja që ngrenë dyshimin për leukemi ose sëmundje të tjera hematologjike.

Si trajtohet trombocitopenia tek fëmijët?

Trajtimi varet nga shkaku i trombocitopenisë, shkalla e gjakderdhjes dhe gjendja klinike e fëmijës.

Në shumicën e rasteve të trombocitopenisë imune të sapodiagnostikuar, fëmijët kanë prognozë shumë të mirë dhe shpesh nuk kanë nevojë për trajtim specifik.

Mundësitë e trajtimit përfshijnë:

Mbikëqyrjen e kujdesshme (watch and wait) – kur fëmija nuk ka gjakderdhje ose paraqet vetëm shenja të lehta. Vendimi për mbikëqyrje nuk bazohet vetëm në numrin e trombociteve, por edhe në gjendjen klinike.
Imunoglobulinën intravenoze (IVIG) – përdoret në raste të caktuara për të rritur përkohësisht numrin e trombociteve.
Kortikosteroidet (prednisoni) – ndihmojnë në zvogëlimin e reagimit imunitar që shkakton shkatërrimin e trombociteve.
Imunoglobulinën anti-D – mund të përdoret në raste të përzgjedhura te fëmijët Rh-pozitivë, duke marrë parasysh kundërindikacionet dhe efektet e mundshme anësore.
Splenektominë (heqjen e shpretkës) – përdoret shumë rrallë te fëmijët, kryesisht në raste kronike dhe rezistente ndaj trajtimeve të tjera.

Në rastet e trombocitopenisë imune persistente ose kronike, kur trajtimet fillestare nuk japin rezultat, hematologu mund të shqyrtojë edhe terapi të tjera, përfshirë barnat që stimulojnë prodhimin e trombociteve.

Prognoza: A shërohet trombocitopenia?

Prognoza varet nga forma e trombocitopenisë dhe shkaku që e ka shkaktuar.

ITP e sapodiagnostikuar, që më parë shpesh quhej akute, është e zakonshme tek fëmijët. Shumica e rasteve përmirësohen spontanisht brenda muajve të parë, pa pasoja afatgjata.
ITP kronike, e cila zgjat më shumë se 12 muaj, është më e rrallë dhe mund të kërkojë mbikëqyrje ose trajtim afatgjatë.
Trombocitopenia nga shkaqe të tjera, si lupusi ose infeksionet kronike, ka prognozë që varet nga sëmundja bazë.

Për prindërit është e rëndësishme të dinë se diagnoza e trombocitopenisë nuk nënkupton domosdoshmërisht një sëmundje të rëndë. Shumë fëmijë shërohen plotësisht dhe vazhdojnë jetën e tyre normale.

Këshilla të rëndësishme për prindërit

Prindërit kanë rol të rëndësishëm në përcjelljen e gjendjes së fëmijës dhe në parandalimin e komplikimeve.

▪ Monitoroni fëmijën për shenja të gjakderdhjes, mavijosje të pazakonta ose njolla të reja në lëkurë.
▪ Shmangni sportet me kontakt fizik dhe aktivitetet me rrezik goditjeje, sipas udhëzimeve të mjekut.
▪ Mos i jepni fëmijës aspirinë ose ibuprofen pa u konsultuar me mjekun, sepse këto barna mund të ndikojnë në funksionin e trombociteve.
▪ Respektoni kontrollet mjekësore dhe analizat e rekomanduara nga hematologu.
▪ Nëse paraqiten gjakderdhje të shumta, gjakderdhje që nuk ndalet, dhimbje koke e fortë dhe e pazakontë, të vjella të përsëritura ose çrregullime të vetëdijes, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.

Çfarë duhet të mbajnë mend prindërit?

Trombocitopenia tek fëmijët është një gjendje që kërkon vlerësim të kujdesshëm mjekësor, por jo gjithmonë trajtim me barna. Zbulimi i shkakut, përcjellja e numrit të trombociteve dhe vlerësimi i shenjave të gjakderdhjes janë thelbësore për kujdesin e duhur.

Me diagnostikim të saktë, kontrolle të rregullta dhe bashkëpunim ndërmjet prindërve dhe mjekut, shumica e fëmijëve me trombocitopeni imune kanë prognozë të mirë. /Telegrafi/

Komentet