27 raste të reja me fruth gjatë javës së fundit

Nacionale

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) i njofton qytetarët se rastet me fruth vazhdojnë të regjistrohen në vendin tonë, duke e bërë të domosdoshëm vazhdimin e përpjekjeve për rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve. Sipas të dhënave të IKShPK-së, gjatë periudhës 16 prill – 01 nëntor 2026 janë […]

Madhësia e shkronjave

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) i njofton qytetarët se rastet me fruth vazhdojnë të regjistrohen në vendin tonë, duke e bërë të domosdoshëm vazhdimin e përpjekjeve për rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.

Sipas të dhënave të IKShPK-së, gjatë periudhës 16 prill – 01 nëntor 2026 janë konfirmuar gjithsej 269 raste me fruth, prej të cilave 27 janë regjistruar gjatë javës së fundit.

“Raste të fruthit janë regjistruar tek qytetarë, pjesa dërmuese fëmijë, nga 23 komuna të Kosovës. Mbi 95% e rasteve të konfirmuara i përkasin personave të pavaksinuar me vaksinën MMR, që mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola”, thuhet në njoftim.

IKSHPK thekson se këto të dhëna theksojnë rëndësinë e vaksinimit si masa kryesore për parandalimin e sëmundjes dhe kufizimin e përhapjes së saj.

“Fruthi është sëmundje shumë ngjitëse, e cila mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël. Vaksinimi me kohë i mbron fëmijët nga kjo sëmundje dhe ndihmon në mbrojtjen e komunitetit, përfshirë foshnjat dhe personat që, për arsye shëndetësore, nuk mund të vaksinohen.

Krahas vaksinimit sipas Kalendarit të rregullt të vaksinimit, IKShPK, në bashkëpunim me institucionet shëndetësore, po vazhdon vaksinimin plotësues (catch-up) për fëmijët që kanë mbetur pa vaksinuar ose nuk i kanë marrë të dy dozat e parapara”, thuhet tutje.

IKSHPK thekson se gjatë këtij viti, përmes këtyre aktiviteteve janë vaksinuar mbi 4.006 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç.

“Ky rezultat është dëshmi e rëndësisë së angazhimit të prindërve dhe profesionistëve shëndetësorë për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve. IKShPK u bën thirrje të gjithë prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe, nëse kanë humbur ndonjë dozë, të kontaktojnë ekipet e vaksinimit për ta plotësuar atë sa më parë.

Asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet i pambrojtur për shkak të vaksinimit të vonuar ose të papërfunduar.

Vetëm përmes bashkëpunimit të prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve mund të rritet mbrojtja e fëmijëve dhe të ndërpritet përhapja e fruthit. Vaksinimi është e drejtë dhe përgjegjësi e përbashkët. Mbrojtja e çdo fëmije fillon me vaksinimin në kohë”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së. /Telegrafi/

Komentet