Rusia raporton për sulm masiv me dronë ndaj një ndërmarrjeje industriale, dyshohet se u godit rafineria e naftës

Bota

Autoritetet ruse kanë njoftuar se një sulm masiv me dronë ka shënjestruar një ndërmarrje industriale në rajonin e Nizhny Novgorodit gjatë natës, ndërsa raportimet në kanalet e monitorimit të luftës pretendojnë se objektiv ishte një rafineri e rëndësishme e naftës. Guvernatori rajonal, Gleb Nikitin, bëri të ditur në Telegram se sulmi me dronë ka shkaktuar […]

Madhësia e shkronjave

Autoritetet ruse kanë njoftuar se një sulm masiv me dronë ka shënjestruar një ndërmarrje industriale në rajonin e Nizhny Novgorodit gjatë natës, ndërsa raportimet në kanalet e monitorimit të luftës pretendojnë se objektiv ishte një rafineri e rëndësishme e naftës.

Guvernatori rajonal, Gleb Nikitin, bëri të ditur në Telegram se sulmi me dronë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në një objekt industrial në distriktin Kstovsky.

“Janë shkatërruar më shumë se 100 dronë”, shkroi Nikitin, duke shtuar se informacionet fillestare nuk raportojnë për viktima dhe se ekipet emergjente ndodhen në vendin e ngjarjes.

Ai paralajmëroi gjithashtu se, gjatë punimeve për rikthimin e funksionimit të objektit, mund të ketë ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike, si dhe kufizime në furnizimin me ujë të ngrohtë dhe ngrohje në disa zona të banimit.

Ndërkohë, kanalet e monitorimit të luftës në Telegram raportuan se objektiv i sulmit ishte rafineria e naftës në Kstovo, e njohur edhe si rafineria Lukoil-Nizhegorodnefteorgsintez, e konsideruar një nga objektet më të mëdha të këtij lloji në Rusi.

Sipas kompanisë Lukoil, në këtë rafineri prodhohen, ndër të tjera, naftë dizel dhe karburant për aviacionin, transmeton Telegrafi.

Ky incident vjen vetëm pak ditë pas raportimeve për një zjarr të madh në një tjetër rafineri nafte në rajonin rus të Samarës, pas një sulmi me dronë. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregonin kolona të mëdha tymi të zi që ngriheshin mbi zonë.

Sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse kanë qenë pjesë e strategjisë së Ukrainës gjatë këtij viti, me objektiva kryesisht rafineritë, terminalet dhe depot e naftës. Kievi synon të godasë një nga sektorët kryesorë të ekonomisë ruse dhe të dobësojë kapacitetet e Moskës për të financuar luftën.

Sulmi i fundit i raportuar vjen në kohën kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se rreth 280 mijë familje në Ukrainë kanë mbetur pa energji elektrike pas sulmeve ruse të së premtes mbrëma.

Në një reagim të publikuar të shtunën në platformën X, Zelensky tha se rreth 200 mijë familje në Dnipro dhe rajonin përreth ishin pa energji, ndërsa të paktën 80 mijë të tjera në rajonin e Kievit po përballeshin me të njëjtin problem.

Sipas tij, forcat ruse kishin goditur një central të kombinuar të prodhimit të energjisë elektrike dhe ngrohjes në Kiev, si dhe katër nënstacione elektrike në rajonin lindor të Dnipros, krahas objektivave të tjera. /Telegrafi/

Komentet