Edicioni i sivjetmë i “Shqip Up Comedy Festival” në Zürich ka dhuruar momente të jashtëzakonshme të qeshurash dhe argëtimi për të gjithë të pranishmit në Stadthalle Dietikon.
Deri më tani, skenën e kanë pushtuar komedianët e njohur Lulzim Bucolli, Drilona dhe T-Ronimo, të cilët me mjeshtërinë e tyre performuese arritën të krijonin një atmosferë fantastike dhe tejet dinamike, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e këtij festivali në festimin e pesëvjetorit të tij të parë.
Artistët sollën para publikut histori origjinale dhe plot sarkazëm, duke i kthyer sfidat e përditshme të bashkatdhetarëve në numra të fuqishëm stand-up komedie.
Fokusi i performancave të tyre ishte reflektimi mbi jetën reale, zakonet dhe situatat komike që shoqërojnë shqiptarët në çdo hap, duke bërë që salla të shpërthente në duartrokitje e të qeshura pa fund nga temat me të cilat secili prej të pranishmëve mund të identifikohej lehtësisht. /Telegrafi/