BE-ja pret angazhim konstruktiv nga fituesi i zgjedhjeve në Serbi në dialogun me Kosovën

Nacionale

Bashkimi Evropian ka deklaruar se rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi nuk ndryshojnë bazat e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja, si dhe obligimet që palët kanë marrë përsipër në kuadër të këtij procesi. Në një përgjigje për Kallxo.com, një zëdhënës i Bashkimit Evropian ka theksuar se dialogu nuk varet nga liderët […]

Madhësia e shkronjave

Bashkimi Evropian ka deklaruar se rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi nuk ndryshojnë bazat e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja, si dhe obligimet që palët kanë marrë përsipër në kuadër të këtij procesi.

Në një përgjigje për Kallxo.com, një zëdhënës i Bashkimit Evropian ka theksuar se dialogu nuk varet nga liderët individualë politikë dhe se të gjitha zotimet e deritanishme mbeten në fuqi.

“Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi nuk i ndryshojnë bazat e dialogut të lehtësuar nga BE-ja apo obligimet e ndërmarra nga palët”- thuhet në përgjigjen e BE-së.

BE-ja ka rikujtuar se këto obligime përfshijnë edhe ato që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve, e vitit 2023, si dhe Aneksi i Zbatimit të saj, i njohur si Marrëveshja e Ohrit.

“Dialogu, i lehtësuar nga BE-ja, nuk varet nga liderët individualë politikë. Të gjitha zotimet ekzistuese mbeten të vlefshme, përfshirë ato që burojnë nga Marrëveshja e vitit 2023 për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i saj i Zbatimit (Marrëveshja e Ohrit)”- thuhet më tej në përgjigje.

Sa i përket mundësisë së ndryshimit të qëndrimit negociues të Serbisë pas zgjedhjeve, zëdhënësi i BE-së ka vlerësuar se është ende herët për të nxjerrë përfundime.

“Në këtë fazë, do të ishte e parakohshme të spekulohej për ndryshime të mundshme në qëndrimin negociues të Serbisë apo për implikimet e tyre në dialog”- thuhet në përgjigje.

BE-ja pret që Serbia të vazhdojë angazhimin konstruktiv në dialog, të respektojë zotimet ekzistuese dhe të kontribuojë në përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Presim që Serbia të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive, t’i respektojë zotimet e saj ekzistuese dhe të kontribuojë në përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve. BE-ja është e gatshme të angazhohet me udhëheqjen e re për të siguruar vazhdimësinë dhe për të ruajtur dinamikën e procesit”- tha zëdhënësi.

Fitorja e Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare në Serbi ka hapur diskutime për të ardhmen e dialogut Kosovë- Serbi dhe ndikimin e mundshëm në përfaqësimin politik të serbëve në Kosovë.

Ndonëse qëndrimet e kësaj lëvizjeje për Kosovën nuk dallojnë dukshëm nga ato të pushtetit të deritashëm të Vuçiqit, mbetet e paqartë nëse ndryshimi politik në Beograd do të sjellë një qasje të re ndaj dialogut mes dy shteteve.

Lista Studentore, e dalë nga protestat kundër korrupsionit në Serbi, ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit 2026, duke i dhënë fund dominimit 14-vjeçar të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), të drejtuar nga Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, ndryshimi i shumicës parlamentare nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe ndryshimin e qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës.

Qëndrimi i përbashkët i kësaj lëvizjeje politike është se “Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë, siç shkruan në Kushtetutën e vendit”. Gjatë fushatës zgjedhore, ata shprehën qëndrimin se Kosova është pjesë e Serbisë, kërkuan rishqyrtimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun me Kosovën dhe rikthimin e çështjes së statusit të saj në Kombet e Bashkuara.

Përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje mbanin simbolikisht me vete Kushtetutën e Serbisë gjatë fushatës, me mesazhin se do ta mbronin dhe se do të vepronin vetëm në përputhje me të.

Megjithatë, përfaqësuesi i kësaj liste, Illija Sërdanoviq, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se vazhdimi i dialogut për çështjen e Kosovës është pjesë themelore e planit të tyre politik.

“Mbetemi të hapur dhe lëmë hapësirë për dialog të hapur dhe për zgjidhjen e çështjeve, para së gjithash, në interes të qytetarëve tanë dhe të të gjithëve në bashkësinë ndërkombëtare”- ka deklaruar Sërdanoviq. Megjithatë, ai ka theksuar se marrëveshjet e arritura më parë mund të rishqyrtohen për të vlerësuar nëse janë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë.

Në anën tjetër, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu tha se edhe pse është shenjë e mirë rënia e Vuçiqit, nuk presin ndryshime në qasjen e Serbisë ndaj Kosovës.

“Së pari është shumë e rëndësishme që regjimet autoritare të ndëshkohen. Nuk kemi shumë besim që do të ndryshojë shumë mendësia atje në Serbi. Megjithatë, Republika e Kosovës do të qëndrojë e fortë përballë çdo sfide që ka para vetes”- tha ajo për mediat në Maqedoni të Veriut më 27.10.2026.

Ndryshimi politik në Serbi vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian vazhdon të shprehë gatishmërinë për organizimin e një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi.

Më 14.10. 2026, një zëdhënës i Komisionit Evropian i kishte thënë Kallxo.com se përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ishte e gatshme të priste një takim të tillë, pa caktuar një datë konkrete.

“Siç ka thënë vazhdimisht përfaqësuesja e lartë Kallas, ajo është e gatshme të presë së shpejti një takim të nivelit të lartë. Çdo takim të ardhshëm do ta njoftojmë me kohë”- thuhej në përgjigjen e Komisionit Evropian.

Megjithatë, zhvillimi i dialogut nuk varet vetëm nga ndryshimi i pushtetit në Beograd, por edhe nga qasja e Bashkimit Evropian dhe gatishmëria e të dyja palëve për të zbatuar marrëveshjet.

Profesori dhe bashkëpunëtori i lartë në Institutin për Politikë të Jashtme të Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serëer, ka vlerësuar më herët se dialogu nuk mund të sjellë rezultate konkrete nëse kërkesat e BE-së vazhdojnë të përqendrohen kryesisht te Kosova.

“Nëse Brukseli vazhdon t’i japë përparësi Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pa kërkuar asgjë në këmbim nga Serbia për Kosovën, dialogu do të vazhdojë të mos çojë askund”- ka thënë Serëer në një intervistë për KALLXO.com.

Sipas tij, Asociacioni nuk duhet të trajtohet si prioritet pa u adresuar kërcënimet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, ndërsa Serbia duhet të japë hapa konkretë në raport me Kosovën.

Në anën tjetër, Fabienne Hara, drejtoreshë e Programit për Evropën, e ka cilësuar fitoren e Listës Studentore si një ndryshim të rëndësishëm politik dhe si dëshmi të angazhimit të të rinjve dhe shoqërisë civile për sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe forcimin e demokracisë.

Sipas saj, ndryshimet politike në Serbi mund të krijojnë mundësi për marrëdhënie më konstruktive ndërmjet Beogradit dhe Bashkimit Evropian.

“Ky ndryshim mund të krijojë një mundësi të rrallë për të bërë përparim drejt zgjidhjes së konfliktit të gjatë dhe thellësisht përçarës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”- ka vlerësuar Hara.

Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Dialogu me Serbinë udhëhiqet vetëm nga Qeveria që vazhdon të udhëhiqet nga Kurti. Pritet të shihet kush do ta udhëheqë nga ana e Serbisë.

Kurti mban qëndrimin se tri kushtet që i vendosi në takimin e fundit të Dialogut në Bruksel, janë ato që garantojnë procesin e normalizimit me Serbinë.

Për të, pa dorëzimin e Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij, që kreu sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, tek autoritetet e Kosovës nuk mund të ketë mirëbesim në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. Dy kushtet tjera të Kurtit, që ai i quan paqësore janë nënshkrimi i Marrëveshjes dhe tërheqja e letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq.

Në mars të vitit 2026, u shënuan tri vite që kur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kurti dhe Vuçiqi, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Marrëveshja me 11 nene, ndër tjera parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Megjithatë kjo marrëveshje ende ka mbetur e pazbatuar.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.

Ky proces fillimisht kishte nisur për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik.

Komentet