Shërbimet emergjente në Kosovë po përballen me mungesë të theksuar të specialistëve, ndërsa nevojiten edhe 56 mjekë të kësaj fushe.
Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla, ka paralajmëruar për vështirësitë me të cilat përballen shërbimet emergjente, duke bërë të ditur se në disa spitale rajonale ka ndërrime pa asnjë specialist të mjekësisë emergjente.
Në një intervistë për emisionin “Shëndeti Sot”, Syla ka treguar se Klinika Emergjente në QKUK ka mbetur me vetëm 18 specialistë nga 26 sa kishte më parë. Prej tyre, 3 kanë dalë në pension dhe 5 e kanë lënë punën për mundësi të tjera, përfshirë punësimin jashtë vendit dhe në sektorin privat.
Sipas tij, situata rëndohet edhe nga interesimi i ulët i mjekëve të rinj për këtë specializim, ngarkesa e madhe në punë dhe mosha e stafit aktual.
“Nuk kemi staf është realitet që nuk kemi, është realitet që kemi problem jo veç me stafin që e kemi tani, mjekët e emergjencës, por kemi problem edhe me mjekët e rinj të cilët shumë pak prej tyre janë të interesuar që ta marrin specializim mjekësinë emergjente, arsyen nuk e di, saktë, mirëpo sipas atyre që jemi ardh në përfundim edhe me pjesën udhëheqëse, do të thotë që i bëjnë politikat shëndetësorë edhe në Ministrinë e shëndetësisë, edhe në shërbimin spitalor të Kosovës, po del që mjekësia emergjente është një lami shumë stresogjene shumë traumatike, kuadri janë tepër të ngarkuar dhe është një lami joprofitabile. Kur dihet që në shtetit tonë e kemi organizimin e spitaleve apo organizimin shëndetësor e kemi publik dhe publiko privat dhe privat, po i bjen që mjekësia emergjente edhe përkundër ligjit që është në fuqi, që as një spital privat nuk mundet me funksionue dhe për mu licencua pa pjesën e departamentit të emergjencës, prap se prap mjekët apo specialistët e mjekësisë emergjente, shumë pak dhe vështirë gjinden në sektorin privat, edhe për këtë arsye është një lami joprofitabile. Edhe përkundër asaj duhet ta them këtë se edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Ministri aktual kanë marrë masa”, tha Syla.
Ai ka bërë të ditur se Ministria e Shëndetësisë ka ndërmarrë masa për ta bërë më tërheqës këtë specializim, përfshirë mbështetjen financiare prej 200 eurosh shtesë për mjekët e emergjencës krahasuar me specialistët e fushave të tjera.
Megjithatë, sipas tij, këto masa nuk e kanë zgjidhur mungesën e kuadrove, veçanërisht në spitalet rajonale, ku jo të gjitha ndërrimet mbulohen me specialistë.
Syla ka theksuar se çdo ndërrim duhet të ketë së paku 2 specialistë të mjekësisë emergjente, por në praktikë ka spitale ku shërbimi mbetet vetëm me 1, madje edhe pa asnjë të tillë.
“Kemi problem me kuadrin e ri, që nuk janë të interesuar për lëmin e mjekësisë emergjente. Kurse kuadri i cili është momentalisht, ka shumë mungesa posaçërisht në spitalet rajonale, në shtatë spitalet rajonale, janë ndërrime dhe turne gjysmake, të pambulume me specialistë të mjekësisë emergjente, kur dihet që minimumi i krejt minimumeve është çdo ndërrim, të ketë minimum ose së paku dy specialistë të mjekësisë emergjente. Në të gjitha spitalet është një, ose nuk ka që nuk ka as një mjek. -Do me thënë ka – që nuk ka as një mjek emergjent në spitalet rajonale. – Ka spitale që nuk ka. Edhe kuadri tjetër që jemi ne, gjenerata e parë, mosha është e lartë, është mbi 50 vjeç, 54- 56 është mesatarja emergjenca është ka plaket sa i përket kuadrit ndërsa nuk ka kuadër të ri janë të interesum”, tha Syla.
Përveç mungesës së specialistëve në spitalet rajonale, edhe Klinika Emergjente në QKUK po përballet me largimin e mjekëve.
Syla ka treguar se nga 26 specialistë sa kishte më parë kjo klinikë, aktualisht kanë mbetur vetëm 18, të cilët janë të ndarë në 4 ndërrime.
Sipas tij, 3 specialistë kanë dalë në pension, ndërsa 5 të tjerë e kanë lënë punën. Një pjesë kanë shkuar jashtë Kosovës, kurse 3 janë punësuar në sektorin privat për kushte më të mira.
“Jemi 18 specialistë të ndarë në katër ndërrime, kemi qenë 26 tre prej tyre kanë dalë në pension dhe pesë prej tyre e kanë lëshuar punën, prej tyre kanë dalë jashtë, tre prej tyre kanë gjetur punë në sektorin privat, kushtet ma të mira, sigurisht që ka ndikua edhe lodhja pak te ta, edhe janë gjeneratë pak më e shtyme në moshë, por kanë shkua për kushte ma të mira. Do te thotë jemi, për momentin jemi 18, por i kemi edhe 19 specializant të rinj, 19 specialistë të rinj që janë bërë tani, dhe janë ka presin për punësim, dhe tash është hap një konkurs dhe presim me i marr një numër prej tyre, edhe pse nuk është i mjaftueshëm sa neve na duhet”, tha Syla.
Drejtori i Klinikës Emergjente ka bërë të ditur se 19 specialistë të rinj janë në pritje të punësimit, por konkursi i hapur nuk pritet të mundësojë angazhimin e të gjithëve.
Ai ka theksuar se nevojat për staf janë shumë më të mëdha, pasi shërbimet emergjente në QKUK dhe në 7 spitalet rajonale kanë nevojë për 56 specialistë shtesë, në mënyrë që të përmbushen kriteret minimale sipas standardeve evropiane.
“Mjekësia emergjente në Kosovë, në 7 spitalet rajonale, dhe në QKUK, për momentin ka nevojë për 56 specialistë me i pasur tani, dhe për me i plotësua ato kriteret minimale që duhen për kokë banori sipas standardeve evropiane”, deklaroi Syla.
Përveç mungesës së stafit, sfidë mbeten edhe kushtet infrastrukturore në Klinikën Emergjente të QKUK-së.
Sipas Sylës, kjo klinikë funksionon në një hapësirë prej vetëm 503 metrash katrorë dhe ka në dispozicion 25 shtretër, ndërkohë që brenda 24 orëve trajtohen mbi 350 pacientë.
Ai ka treguar se nga numri i përgjithshëm i shtretërve, 9 janë të dedikuar për traumatologji, 8 për rastet internistike, 3 për kirurgji, 1 për ortopedi, ndërsa pjesa tjetër shfrytëzohet për triazh dhe sallën e vogël.
Duke folur për mundësitë e punësimit të specialistëve të rinj, Syla ka thënë se, sipas informatave që ka nga drejtoria e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), pritet të hapet një konkurs tjetër në shkurt ose mars.
Megjithatë, ai ka theksuar se shumica e specialistëve të rinj synojnë punësimin në QKUK, ndonëse nevojat për staf janë të mëdha edhe në spitalet rajonale.
“Nëse ne i plotësojmë të gjitha kërkesa që i ka QKUK, do t’i lëmë shumë keq departamentet e emergjencës në Spitalet rajonale. Do të thotë nuk kemi arrit asgjë në këtë drejtim, për shkak se shumë më mirë veprojmë dhe shumë ma i madh është interesi jonë, që ti plotësojmë numrin e të punësuarve në spitalet rajonale, që atje të përpunohen rastet”, tha Syla.
Drejtori i Emergjencës ka vlerësuar se forcimi i shërbimeve në spitalet rajonale do të mundësonte trajtimin e më shumë pacientëve në këto institucione, duke ulur njëkohësisht ngarkesën në QKUK. /kp/