Përballja me kancerin e gjirit është një rrugëtim i vështirë fizik dhe emocional për Saranda Jakupin, por mbështetja e familjes, veçanërisht e djalit të saj 12-vjeçar, është një nga burimet më të mëdha të forcës për të.
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit “Kubati”, ajo ka ndarë një rrëfim prekës për mënyrën se si fëmijët e saj po e përjetojnë sëmundjen.
Jakupi, e cila prej më shumë se gjashtë vjetësh po përballet me kancerin e gjirit, ka treguar se gjatë kësaj periudhe ka pasur mbështetje të vazhdueshme nga familja dhe tre djemtë e saj.
Ajo ka theksuar se fëmijët janë shumë pranë saj dhe përpiqen t’i japin kurajë në momentet më të vështira.
“Djemtë i kam shumë në krah, shumë më mbështesin”, ka rrëfyer Saranda.
Një vend të veçantë në rrëfimin e saj e zë djali më i vogël, i cili tashmë është 12 vjeç.
“M’u duk sikur m’u shemb gjithçka” – Saranda Jakupi rrëfen momentin kur mësoi se kishte kancer të gjirit
Saranda ka treguar se, përmes aktiviteteve ndërgjegjësuese gjatë Muajit Rozë dhe me kalimin e viteve, ai ka filluar ta kuptojë më mirë sëmundjen me të cilën po përballet nëna e tij.
Sipas saj, djali shpesh i afrohet, e përqafon dhe përpiqet ta qetësojë me fjalë shprese.
“Hajde nënë, hajde se ke me u bë mirë”, janë fjalët që Saranda kujton nga djali i saj.
Ajo ka treguar se, edhe pse është ende i vogël, ai mundohet t’i japë forcë, ndërsa shqetësimet dhe emocionet e veta shpesh i mban përbrenda.
Podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”, mund ta shikoni në të gjitha platformat e Telegrafit. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com